ITALI – Meloni: Evropianët duhet të mbrohen në rast lufte tregtare me SHBA-në

ROMË, 2 prill /ATSH-DPA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka paralajmëruar për një luftë tregtare përpara njoftimit të pritshëm të presidentit Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja kundër partnerëve tregtarë të SHBA.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar një luftë tregtare që nuk do të përfitonin as Shtetet e Bashkuara dhe as Evropa”, tha Meloni.
Megjithatë, ajo shtoi se evropianët duhet të jenë të përgatitur të “mbrohen nëse është e nevojshme”.
Meloni shprehu shqetësim të veçantë për tarifat e mundshme për produktet bujqësore italiane.
Kryeministrja e djathtë konsiderohet si një nga kontaktet më të rëndësishme për qeverinë amerikane mes liderëve evropianë.
Trump e ka lavdëruar atë në disa raste. Edhe Meloni e ka vizituar dy herë gjatë muajve të fundit.
Presidenti italian Sergio Mattarella i quajti tarifat e planifikuara të Trump një “gabim të rëndë” dhe kërkoi një përgjigje të bashkuar evropiane e cila të ishte “e qetë dhe vendimtare”.
Trump është vendosur të shpallë tarifat e reja të importit në një fjalim në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë në orën 16:00 (22:00 GMT).
Prej javësh ai ka promovuar 2 Prillin si “Ditën e çlirimit” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ /os/