E Martë, 3 Nëntor 2026

BM – Starmer premton përgjigje të qetë dhe pragmatike ndaj tarifave të SHBA-së

LONDËR, 2 prill /ATSH/- Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se qeveria është përgatitur për të gjitha rastet dhe se po punon me kompanitë që mund të goditen nga tarifat e presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump pritet të vendosë taksat e importit për mallrat që shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga e gjithë bota, në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë në orën 16:00.

Bizneset britanike janë të përgatitura për ndikimin e tarifave të “ditës së çlirimit” të presidentit amerikan, të cilat kanë potencialin të zbehin shpresat e qeverisë britanike për rritje ekonomike.

“Më lejoni të jem i qartë me Dhomën e Komuneve, një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt dhe vendi meriton – dhe ne do të marrim – një qasje të qetë dhe pragmatike”, u tha Starmer anëtarëve të parlamentit.

“Kjo është arsyeja pse bisedimet konstruktive po përparojnë për të rënë dakord për një marrëveshje më të gjerë të prosperitetit ekonomik me SHBA”, tha ai.

“Kjo është arsyeja pse ne po punojmë me të gjitha industritë dhe sektorët që mund të ndikohen. Vendimet tona gjithmonë do të udhëhiqen nga interesi ynë kombëtar dhe për këtë arsye ne jemi përgatitur për të gjitha rastet dhe nuk do të përjashtojmë asgjë”, theksoi Starmer.

Industria e makinave e ka mësuar tashmë fatin e saj, pas njoftimit të tarifave të reja prej 25% për automjetet e dërguara në SHBA – që mund të rrezikojjë rreth 25,000 vende pune në Britani të Madhe.

Përpjekjet intensive diplomatike dhe negociatat për një marrëveshje ekonomike BM-SHBA nuk pritet të jenë të mjaftueshme për të kursyer eksportuesit britanikë nga planet tarifore të Trump.

Vendosja e tarifave do t’i bëjë mallrat britanike më të shtrenjta në SHBA, gjë që ka gjasa të reduktojë kërkesën.

Tarifat mund të rrëzojnë deri në 1% nga madhësia e ekonomisë së Britanisë së Madhe, nëse ka një luftë tregtare të plotë, me BM-në që do të hakmerret ndaj masave të Trump.

Megjithëse një marrëveshje nuk do të arrihet përpara njoftimit të Trump, negociatorët në Britaninë e Madhe po ndjekin një marrëveshje me SHBA-në të fokusuar në teknologji.

Një marrëveshje e tillë mund të përfshijë ndryshime të mundshme në taksën e shërbimeve digjitale – e cila vendos një taksë prej 2% mbi të ardhurat e disa kompanive të mëdha të teknologjisë amerikane – në këmbim të një lehtësimi nga tarifat.

Starmer nuk e mohoi se po shqyrtohen ndryshime në taksën e shërbimeve digjitale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›