E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

ITALI – Meloni: Urdhërarresti për Netanyahun një nga temat e G7-s

ROMË, 23 nëntor /ATSH-DPA/ – Italia planifikon të shqyrtojë urdhrin e arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të G7, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Meloni tha se do të “shikonte motivimet” e ICC-së.

”Kjo qeveri mbetet e vendosur në një pikë, që nuk mund të ketë ekuivalencë midis përgjegjësive të shtetit të Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas”, thuhet në një deklaratë të kryeministres.

Italia, e cila aktualisht mban presidencën e G7-s, do të presë ministrat e Jashtëm në Fiuggi, një qytet afër Romës, duke filluar nga e hëna.

ICC lëshoi ​​urdhra arresti të enjten për Netanyahun dhe ministrin izraelit të Mbrojtjes të shkarkuar së fundmi, Yoav Galant për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e Gazës.

Aleatët e Izraelit e kanë kritikuar vendimin.

Shtetet anëtare të ICC-së përgjithësisht janë të detyruara të zbatojnë urdhërarrestet, megjithëse ka mosmarrëveshje midis këtyre shteteve se si të trajtojnë urdhrat e Netanyahut.

Hungaria ka deklaruar tashmë synimin e saj për të injoruar urdhërarrestin.

Anëtarë të tjerë të G7 përfshijnë SHBA, Kanadanë, BM, Japoninë, Francën dhe Gjermaninë.

SHBA, ashtu si Izraeli, nuk e njeh Gjykatën Penale Ndërkombëtare./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›