E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

LUKSEMBURG – Juncker kritikon rikthimin e kontrolleve kufitare në Evropë

LUKSEMBURG, 23 nëntor /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, i cili ishte gjithashtu kryeministër i Luksemburgut për gati dy dekada, ka kritikuar rikthimin e kontrolleve kufitare në Gjermani dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian.

”Do të doja që kjo të ndalonte. Kushdo që mendon se mund të kapë refugjatë me tufa dhe njerëz të tjerë me urdhërarreste në pikat zyrtare kufitare gabohet”, tha ai për dpa-në.

Ai argumentoi se kontrabandistët po bëjnë gjithçka që është e mundur për të shmangur kontrollet zyrtare të policisë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për rajonin përreth Luksemburgut, ku ka shumë trafik në kufijtë me Gjermaninë, Francën dhe Belgjikën.

Juncker shprehu shqetësimin e tij, duke thënë se “duket se është bërë një gjë kaq normale rivendosja e kontrolleve kufitare, por unë nuk dua të mësohem me të”.

Gjermania rivendosi kontrollet në të gjithë kufijtë gjermanë më 16 shtator, duke e justifikuar këtë me kufizimin e emigrimit të parregullt dhe mbrojtjen e sigurisë së brendshme.

Edhe shtetet e tjera të BE-së po kontrollojnë sërish kufijtë e tyre.

Marrëveshja e Schengenit për kalimet kufitare të pakufizuara, 40-vjetori i së cilës do të festohet vitin e ardhshëm, lejon kontrollet kufitare vetëm në raste të jashtëzakonshme apo në rast të një kërcënimi serioz për rendin publik ose sigurinë e brendshme.

Juncker deklaroi se “nëse Gjermania tani po konsideron gjithashtu t’i bëjë kontrolle të tilla të përhershme, atëherë nuk është mirë për ndjenjën e përkatësisë së njerëzve në  SaarLorLux (rajon evropian i 11 autoriteteve rajonale të vendosura në katër shtete evropiane – shën. i përkth.)”.

“Në këtë aspekt, do të isha mirënjohës nëse do të ndalonin”, theksoi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›