E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Rutte dhe Trump diskutojnë një sërë çështjesh të sigurisë globale

FLORIDA, 23 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u takua dje  në Florida me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe diskutuan një sërë çështjesh të sigurisë globale.

“Ata diskutuan një sërë çështjesh të sigurisë globale me të cilat përballet aleanca”, i tha dpa-së zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah.

Ajo nuk pranoi të japë hollësi rreth takimit të tyre.

Takimi midis Trump dhe Rutte, ish-kryeministrit holandez që mori detyrën kryesore të NATO-s në fillim të këtij viti, nuk ishte shpallur publikisht paraprakisht.

Sipas informacioneve nga burime brenda aleancës, takimi ishte për të diskutuar pushtimin e vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë si dhe çështjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga anëtarët e NATO-s.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump pretendoi se ai mund t’i jepte fund luftës së agresionit rus brenda 24 orëve dhe kërkoi që të gjitha vendet e NATO-s të shpenzonin të paktën 3% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Përveç Shteteve të Bashkuara, vetëm katër nga 32 vendet e NATO-s arrijnë aktualisht këtë nivel.

Gjermania vlerësohet të shpenzojë vetëm 2,1% këtë vit, që është mbi objektivin aktual të NATO-s prej 2%.

Udhëheqësit në një numër vendesh të NATO-s kanë shprehur shqetësimin se si kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të ndikojë në aleancë dhe ka një ndjenjë që shumica do të kishin preferuar që demokratja Kamala Harris të fitonte zgjedhjet presidenciale.

Deklaratat e Trump në të kaluarën kishin ngritur dyshime nëse SHBA do të qëndronte plotësisht e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj të ndihmës reciproke.

Megjithatë, Rutte është treguar i qetë pas fitores së Trump në zgjedhjet në fillim të këtij muaji.

”Përmes NATO-s, SHBA ka 31 miq dhe aleatë që ndihmojnë për të avancuar interesat e SHBA-së, për të shumëfishuar fuqinë amerikane dhe për të mbajtur amerikanët të sigurt”, tha ai.

Së bashku, aleatët përfaqësojnë gjysmën e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të botës.

Ku ishte takimi i parë i Rutte me Trump në rolin e tij të ri, megjithëse ai u takua me Trump në disa raste në rolin e tij të mëparshëm si kryeministër i Holandës.

Gjatë një takimi me Rutte në 2019, Trump tha se ai dhe Rutte ishin bërë miq./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›