E Diel, 1 Nëntor 2026

ITALI – Meloni del në mbrojtje të papa Leones XIV pas kritikave të ashpra të Trump

ROMË, 14 prill /ATSH/- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka dalë në mbrojtje të Papa Leone XIV pas kritikave të ashpra të presidentit amerikan, Donald Trump, duke i cilësuar sulmet ndaj kreut të Kishës Katolike si “të papranueshme”.

Sipas raportimeve të “Reuters” dhe medieve ndërkombëtare, përplasja shpërtheu pasi Trump e quajti Papën “të dobët në luftën kundër krimit” dhe “të tmerrshëm për politikën e jashtme” në një seri postimesh publike.

Reagimi i Melonit erdhi në një moment delikat politik, pasi ajo konsiderohej një aleate e afërt e Trump.

Megjithatë, ajo theksoi se është “normale dhe e drejtë” që Papa të flasë për paqen dhe të dënojë luftën, duke mbrojtur rolin e tij moral në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Papa Leone – i pari papë amerikan në histori – nuk u tërhoq nga qëndrimet e tij dhe deklaroi se “nuk kishte frikë” nga administrata Trump, duke premtuar se do të vazhdonte të kritikonte luftën dhe politikat që ai i konsideron të padrejta.

Përplasja lidhet ngushtë me qëndrimet e Papës kundër luftës së udhëhequr nga SHBA-ja ndaj Iranit dhe politikave të migracionit, të cilat ai i ka kritikuar vazhdimisht.

Ndërkohë, tensionet janë përshkallëzuar edhe më tej pasi Trump publikoi një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale ku paraqitej në një formë të ngjashme me figurën e Jezusit, duke shkaktuar reagime të forta nga liderë fetarë dhe opinioni publik.

Analistët theksojnë se kjo përplasje rrezikon të thellojë krizën mes SHBA-së dhe Vatikanit, duke krijuar një ndarje të rrallë mes politikës dhe autoritetit fetar në skenën globale.

Mbështetja e Melonit për Papën tregon një balancim të vështirë mes aleancave politike dhe presionit të brendshëm në Itali, ku figura e Papës mbetet me ndikim të madh, ndërsa përplasja me Trump vazhdon të tensionojë marrëdhëniet ndërkombëtare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›