MOSKË – Peskov: Të kënaqur që Magyar është gati për dialog pragmatik me Rusinë

MOSKË, 14 prill /ATSH/- Kremlini tha sot se ishte i kënaqur që kryeministri i zgjedhur hungarez Peter Magyar dukej i gatshëm për dialog pragmatik me Rusinë dhe do ta bazonte qëndrimin e vet në hapat specifikë të ndërmarrë nga qeveria e tij e re, sipas “Reuters”.
Personalitetet e linjës së ashpër ruse janë mërzitur per humbjen e Viktor Orban, një partner i ngushtë i Moskës, i cili humbi zgjedhjet e fundjavës ndaj rivalit të qendrës së djathtë, Magyar.
Por, Kremlini tha se ishte gati për bisedime me udhëheqjen e re të vendit.
“Për momentin, mund të vërejmë me kënaqësi, për aq sa kuptojmë, gatishmërinë e Magyar për t’u angazhuar në dialog pragmatik”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Në këtë rast, ekziston një gatishmëri e ndërsjellë nga ana jonë dhe më pas do të vazhdojmë të marrim shembull nga hapat specifikë të ndërmarrë nga qeveria e re hungareze”, shtoi ai.
Rusia i shet naftë dhe gaz Hungarisë dhe po ndërton një central të ri bërthamor në jug të Budapestit.
Orbani ishte i dobishëm për Moskën sepse ai ka kundërshtuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, përpjekjen e Kievit për t’u bashkuar me BE-në dhe ka bllokuar kredinë prej 90 miliardë eurosh (105 miliardë dollarë) nga BE-ja për Ukrainën.
Magyar ka kombinuar retorikën pro-BE-së dhe pro-NATO-s me një pranim publik se do t’i duhet të zhvillojë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin dhe të vazhdojë të blejë naftë dhe gaz rus për momentin, pavarësisht bisedave për diversifikimin dhe rishikimin e kontratave. //a.i/