ITALI – Meloni uron Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale

ROMË, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka uruar ngrohtësisht republikanin Donald Trump pasi ai u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
“Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ‘kombe motra të lidhura nga një aleancë e palëkundur, vlera të përbashkëta dhe një miqësi historike”, shkroi Meloni në platformën X.
Ajo tha se lidhja strategjike mes dy vendeve tani do të bëhej edhe më e fortë.
“Punë e mirë, president!”, shtoi Meloni.
Fox News e kishte shpallur tashmë kandidatin republikan Trump fitues të përgjithshëm kundër demokrates Kamala Harris, por rrjetet e tjera mediatike dhe agjencia amerikane e lajmeve AP nuk e kanë bërë këtë. Trump e shpalli veten fitues në një fjalim në Florida. //a.i/