IZRAEL – IDF nis operacionin e ri ushtarak në Khan Younis

TEL AVIV, 9 gusht /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite ka nisur një operacion të ri ushtarak në zonën e Khan Younis në Rripin jugor të Gazës – mes frikës për një zjarr më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe thirrjeve në rritje në mbarë botën për një armëpushim.
“Shërbimet sekrete zbuluan se kishte luftëtarë në zonë dhe se ata ishin riorganizuar atje që nga tërheqja e fundit e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF)”, tha sot ushtria.
“Përveç kësaj, forcat ajrore sulmuan më shumë se 30 objektiva të lidhur me grupin islamik palestinez Hamas, duke përfshirë depo armësh”, tha IDF.
Ushtria izraelite vuri në dukje se disa militantë ishin vrarë në ato sulme.
Ushtria izraelite ka qenë aktive kundër njësive luftarake të Hamasit në Khan Younis në disa raste në periudha më të gjata kohore, por më pas është tërhequr në pozicione fikse jashtë qytetit.
Ushtria ishte aktive për herë të fundit në korrik – përpara se të tërhiqej sërish në fund të muajit. Sipas zyrës së mediave të kontrolluar nga Hamasi, 255 persona u vranë dhe rreth 300 të tjerë u plagosën gjatë operacionit të fundit izraelit.
Edhe 10 muaj pas sulmit terrorist ndaj Izraelit nga Hamasi, dhe ofensivës tokësore të nisur nga Izraeli menjëherë më pas, ekstremistët në Rripin e Gazës janë ende duke gjuajtur raketa kundër Izraelit në mënyrë sporadike.
Të hënën, militantët palestinezë qëlluan 15 raketa në drejtim të Izraelit. Sipas raportimeve të mediave, ushtria supozon se raketat janë lëshuar në zonën e qytetit të Khan Younis. Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Lufta në Gazë u shkaktua nga një masakër e paprecedentë në të cilën më 7 tetor u vranë më shumë se 1200 njerëz në Izrael nga Hamasi dhe grupe të tjera militante dhe 250 persona u morën peng në Rripin e Gazës.
Në ofensivën ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se më shumë se 39,600 persona kanë vdekur. //a.i/