E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Milicia pro-iraniane vret 11 persona në Sirinë lindore

BEJRUT, 9 gusht /ATSH-DPA/- Të paktën 11 persona u vranë në bombardimet e milicisë arabe pro-iraniane në zonat në Sirinë lindore, thanë sot një grup monitorues dhe burime kurde.

“Gjashtë fëmijë ishin në mesin e atyre që u vranë gjatë bombardimeve intensive të fshatit Dahla, në rajonin lindor të Deir al-Zour”, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani të Madhe.

Monitoruesi i luftës tha se numri ka të ngjarë të rritet pasi pesë persona të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Në hakmarrje, Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja u përgjigjën duke bombarduar anën perëndimore të Lumit Eufart, i cili kontrollohet nga grupet fisnore pro-iraniane, të cilët janë gjithashtu besnikë ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad.

Sipas observatorit, dy luftëtarë fisnorë ishin vrarë gjatë bombardimeve hakmarrëse dhe të paktën nëntë civilë ishin plagosur, duke përfshirë gjashtë fëmijë.

SDF konfirmoi më herët sulmin në zonat e tyre dhe e përshkroi atë si një “masakër” që goditi shtëpitë e civilëve.

Në fillim të kësaj jave, luftëtarët fisnorë arabë filluan një sulm në zonat e kontrolluara nga SDF – në fshatin Deir al-Zour.

Forcat Demokratike Siriane janë një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terroristëve islamikë në Siri.

Konflikti në Siri filloi në vitin 2011 me protesta paqësore kundër qeverisë. Protestuesit u pritën me një shtypje të ashpër nga forcat qeveritare, duke rezultuar në një luftë civile.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›