E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – Komisioni Hetimor paralajmëron Netanyahun për marrëveshjen e nëndetëseve me Gjermaninë

TEL AVIV, 24 qershor /ATSH-DPA/- Një komision hetimor izraelit ka dërguar letra paralajmëruese, duke përfshirë një për kryeministrin Benjamin Netanyahu, pas një hetimi që zgjati më shumë se dy vjet.

Komisioni shqyrtoi procedurat për prokurimin e nëndetëseve dhe korvetave gjermane, të cilat janë anije të vogla luftarake, për Marinën Izraelite midis 2009 dhe 2016.

Komisioni tha sot se Netanyahu mund të “dëmtohet” nga hetimi. Netanyahu ishte kryeministër gjatë periudhës në fjalë.

Sipas memorandumit prej 11 faqesh, Netanyahu mund të preket negativisht nëse komisioni arrin në përfundimin se ai ka marrë vendime me ndikim të rëndësishëm në sigurinë e vendit pa një proces të organizuar vendimmarrjeje dhe se ka lidhur marrëveshje me Gjermaninë për çështjet e sigurisë dhe ekonomike, duke anashkaluar qeverinë e tij.

“Hetimi kishte arritur tashmë në përfundimin se sjellja e Netanyahut kishte rezultuar në ndërprerje të gjerë dhe sistematike të proceseve të punës dhe në rrezikimin e sigurisë së Izraelit dhe marrëdhënieve të tij me jashtë”, thuhet në deklaratë.

Katër persona të tjerë thuhet se kanë marrë letra paralajmëruese, duke përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes Moshe Ya’alon dhe ish-kreun e Mossad, Yossi Cohen.

“Disa nga të përfshirët dyshohen për korrupsion. Ndërsa Netanyahu ishte marrë në pyetje në lidhje me këtë, ai nuk ishte nën dyshim”, thuhet në deklaratë.

Gjermania i ka dorëzuar Izraelit pesë nëndetëse, ndërsa një e gjashtë është ende për t’u dorëzuar.

Në vitin 2022, Izraeli dhe Gjermania përfunduan një marrëveshje për blerjen e tre nëndetëseve të klasës së re “Dakar”, e para prej të cilave është planifikuar të dorëzohet brenda nëntë viteve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›