KOMENT – Një konventë republikane nën tension të lartë për të kurorëzuar Trump

MILUOKI, 15 korrik /ATSH-AFP/ – Dhjetëra mijëra mbështetës të ish-presidentit, Donald Trump janë të pranishëm sot në Miluoki për konventën e Partisë Republikane, një masë e madhe pjesëmarrjeje historike nën një tension të lartë, e ndërprerë nga përpjekja për vrasjen e ish-presidentit.
I mbërritur tashmë në ish-qytetin industrial me pamje nga liqeni i Miçiganit, ish-biznesmeni 78-vjeçar ka shumë të ngjarë të pritet me entuziazëm të ri nga këta aktivistë, të cilët pothuajse humbën të shtunën heroin e tyre.
Mijëra oficerë policie janë vendosur në rrugë.
“Nëse ata nuk janë në ankth, atëherë as unë nuk jam”, tha Tim Hawkins, 57 vjeç, nga shteti i Uashingtonit.
Vendndodhja e zgjedhur për konventën është një kompleks i madh sportiv, shumë modern, muret e të cilit janë të mbuluara me fotografi të mëdha për lavdinë e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara, i cili gjithashtu dëshiron të jetë i 47-ti.
– “Unë duhet të jem i vdekur” –
Por, imazhi që të gjithë kanë në mendje dhe që ka bërë xhiron e botës, është ai i Donald Trumpit me një vesh të përgjakur, një grusht që tundej, i evakuuar me nxitim të shtunën nga truprojat e tij nga një tubim i fushatës në Pensilvani.
“Unë nuk duhet të jem këtu, duhet të isha i vdekur”, tha ish-presidenti në një intervistë në bordin e avionit të tij për në Miluoki, dhënë ”New York Post” të dielën.
”Ishte një përvojë shumë surreale”, vuri në dukje ai, me një fashë të bardhë mbi veshin e tij të djathtë, sipas gazetës.
Ky sulm tronditi një shoqëri amerikane gjithnjë e më të polarizuar, duke zemëruar aktivistët më radikalë trumpistë, të cilët akuzojnë hapur demokratët se mbajnë përgjegjësi.
Pika e parë kryesore e konventës së republikanëve në Miluoki me siguri do të vijë sot, me shpalljen e pritshme të personit të zgjedhur nga Donald Trump për të qenë nënpresidenti i tij i ardhshëm, nëse ai fiton zgjedhjet e 5 nëntorit.
Tre emra janë në krye, ai i kongresmenit J.D. Vance, i guvernatorit të Dakotës së Veriut, Doug Burgum dhe ai i senatorit me ndikim, Marco Rubio.
Por, kjo vetëm nëse Donald Trump, i dhënë pas dramacitetit politik, nuk shpall një profil krejtësisht të papritur.
Temat kryesore të konventës do të jenë fuqia blerëse, migracioni, krimi dhe siguria.
Por, kulmi i këtij eventi institucional dhe festiv do të vijë të enjten, kur Donald Trump do të caktohet kandidati zyrtar republikan për zgjedhjet.
Kurorëzimi i tij nuk vihet më në dyshim, i zyrtarizuar gjatë një mbrëmjeje spektakolare, e shoqëruar nga lëshimi i 100 000 balonave të kuqe, të bardha dhe blu.
Me më shumë se 50 000 pjesëmarrës, ngjarja premton të jetë tashmë e garantuar.
Perimetra të tëra të qendrës së qytetit janë të rrethuara nga porta të mëdha metalike dhe patrullohen nga agjentë të Shërbimit Sekret, forca elitare e policisë e cila është subjekt i kritikave të forta për mosmbrojtjen e duhur të Donald Trumpit.
Sulmi kundër Donald Trump mund t’i sjellë atij një dobi elektorale.
Për Martin Kutlzer, banor i Miluokit dhe simpatizant republikan, nuk ka dyshim, gara për Shtëpinë e Bardhë është mbyllur.
”Donald Trump do të fitojë, sepse ne gjithmonë tentojmë të mblidhemi rreth atyre që janë vulnerabël”, deklaron 60-vjeçari./ a.jor.