IZRAEL – Shpenzimet e luftës në Gazë dhe Liban arrijnë në 30 miliardë dollarë në 2024

TEL AVIV, 17 mars /ATSH/- Izraeli shpenzoi 31 miliardë dollarë për konfliktet e tij ushtarake në Gazë dhe Liban në vitin 2024, tha sot Ministria e Financave në një raport, sipas “Reuters”.
Midis 7 tetorit 2023 – kur grupi militant palestinez Hamas sulmoi Izraelin duke shkaktuar luftën në Gazë dhe bombardimet e mëvonshme me raketa nga Hezbollah në Liban – deri në fund të 2024 shpenzimet arritën në 38,84 miliardë dollarë.
Izraeli që atëherë ka krijuar marrëveshje armëpushimi me Hamasin dhe Hezbollahun.
“Shpenzimet totale për mbrojtjen në vitin 2024 ishin 46,22 miliardë dollarë, ose 8,4% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB), nga 98,1 miliardë në vitin 2023, kur kostot e mbrojtjes ishin 5,2% e PBB-së”, sipas raportit.
Rritja e shpenzimeve të luftës e nxiti deficitin buxhetor në 6,8% të PBB-së në vitin 2024, një rishikim nga një vlerësim paraprak prej 6,9%. Ekonomia e Izraelit u rrit me 0,9% në 2024.
Para luftës, në maj 2023, ligjvënësit izraelitë miratuan një buxhet të vitit 2024 prej 140,91 miliardë dollarësh, por luftimet kërkuan tre buxhete shtesë në vitin 2024 që rritën shpenzimet shtetërore me 21% në 170,23 miliardë dollarë. Të ardhurat vitin e kaluar ishin 133,01 miliardë dollarë.
Deficiti, i cili kishte arritur në 8% të PBB-së gjatë 2024-ës, që atëherë është lehtësuar dhe ka qëndruar në 5,3% në shkurt.
Për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike, Izraeli nuk ka miratuar ende një buxhet për vitin 2025 dhe vendi po përdor një version të përpjestuar të buxhetit bazë të vitit 2024.
Dështimi i ligjvënësve për të miratuar një buxhet deri në fund të marsit do të shkaktonte zgjedhje të reja.
“Drafti i buxhetit për rritjen e taksave dhe shkurtimet e mëdha të shpenzimeve do të miratohet në kohë”, tha ministri i Financave, Bezalel Smotrich.
“Buxheti, reflekton një buxhet të përgjegjshëm që do të sigurojë stabilitet dhe funksionim të vazhdueshëm të duhur të qeverisë duke adresuar nevojat e sigurisë së Izraelit gjatë kësaj periudhe”, tha ai. //a.i/