Ia “garanton” burgun Ramadan Mujës

Kryetari i BD-së, Zafir Berisha është i sigurt se në vitin e ardhshëm do t’i fitojë zgjedhjet në Prizren. Ai tregon se Bashkimi Demokratik në Prizren, çdo ditë po gëzon mbështetje tek qytetarët.
“Kjo forcë politike ka mbetur alternativa e vetme politike që do t’ia kthejë dinjitetin e nëpërkëmbur qytetarëve të Prizrenit”, ka thënë Berisha në një intervistë për “PrizrenPress”.
Sipas tij, me fitoren e BD-së, do të përfitojnë të gjithë qytetarët, me përjashtim të atyre që përbëjnë sot “Qeverinë Muja”.
“Është një garanci për qytetarët se pas 10 muajve kur do të mbahen zgjedhjet lokale ne do të vijmë në pushtet, jo për të vazhduar këtë qeverisje të keqe që është duke ndodhur, por për ta marr pushtetin dhe për ta vënë në interes të qytetarëve dhe Ramadan Mujën dhe garniturën e tij të korruptuar për ta dërguar në burg aty ku e kanë vendin, sepse kanë shkelur ligjin dhe keqpërdorur paranë publike”, ka thënë ai .
Berisha nuk ngurron të pranojë një pjesë të fajit, për mbështetjen që ia ka dhënë si kryetar i Degës së PDK-së, kryetarit aktual të Prizrenit, Ramadan Muja.
“Një pjesë të fajit e kam edhe unë, për mbështetjen që ia kam dhënë kryetarit Muja në zgjedhjet e fundit lokale. Por, atë mbështetje ia kam dhënë më qëllimin më të mirë, që ky tip të qeverisë në interes të qytetarëve” ka thënë Berisha.
Kryetari i BD-së në Prizren, Zafir Berisha, ka sqaruar edhe një herë takimin që ka pasur më kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin. Ai tregon se ky takim ka qenë i rastësishëm.
“Përshëndetja me të nuk më ka lenë ndonjë përshtypje të veçant. Unë ndihem shumë komod dhe mirë që nuk jam pjesë e garniturës politike, e cila e ka futur Kosovën në një rrugë pa "kry", duke devalvuar institucionet demokratike të vendit, duke ia ndalur perspektivën evropiane këtij vendi, dhe duke radhitur Kosovën në top listën e 10 vendeve me të korruptuara të botes”, ka thënë Berisha./Indeksonline/