Ivanov: Deklaratat e Berishës dhe Thaçit, për politikë ditore

Presidenti Gjorge Ivanov në fjalimin e tij vjetor, foli më tepër për fqinjët duke iu drejtuar me porosi të shumta, duke aluduar në deklaratat e kryeministrave shqiptar, Berisha e Thaçi. Sipas tij, deklaratat e tilla janë vetëm për politikë ditore dhe nuk ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike.
“Edhe gjatë këtij viti ndaj Republikës së Maqedonisë u dërguan deklarata absurde dhe ofenduese nga disa politikanë “kujdestar” nga fqinjësia, për marrëdhëniet tona ndër fqinjësore dhe ndëretnike, ne nuk ramë në asnjë provokim.
Populli ynë ndër shekuj ka përjetuar dhe mbijetuar shumë. Ka fituar shumë guxim, gjallëri dhe forcë. Ato deklarata për përdorim politik-ditor, as që kanë mundur, e as që do të mund t’i prishin në të ardhmen marrëdhëniet shekullore ndërfqinjësore të popujve në këtë rajon...Në hapësirat tona, jo vetëm në Republikën e Maqedonisë, ka ende individë të cilët mendojnë për ide radikale dhe mite për shtete të mëdha. Këtyre ideve dua t’ju përgjigjem me thënien e njërit prej baballarëve të Evropës, të madhit Kalegri, i cili para 90 vitesh tha se “ekziston vetëm një mundësi radikale për zgjidhje të drejtë dhe afatgjate për çështjen e kufijve të Ballkanit dhe kjo është; jo ndryshim, por heqja e atyre kufijve”, tha Gjorge Ivanov, raporton AlsatM.
Sipas Ivanovit, në asnjë mënyrë nuk mund të vihen në pikëpyetje marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni nëse respektohet Marrëveshja e Ohrit e cila paraqet model të integrimit dhe jo të asimilimit. Ata që nxisin tensione në vend do të dalin para drejtësisë, theksoi Ivanov.
“Me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit arritëm nivel më të lartë të mirëkuptimit, respektit dhe tolerancës. Ndërtuam edhe model i cili synon integrimin dhe jo asimilimin. Nevojitet përmbajtje e përpiktë rreth parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe vijim i procesit politik, pikërisht në këtë kornizë. Fatkeqësisht këtë vit kishim disa ngjarjeve të patolerueshme që i shqetësuan qytetarët dhe nuk i shkojnë asaj që kemi bërë deri tani në këtë vend. Ishim dëshmitarë të shumë incidenteve, tensioneve dhe rasteve të tjera tragjike. ..Ju drejtohem të gjithë atyre që nxisin dhe kryejnë vepra të tilla, të mendojnë seriozisht për pasojat dhe të jenë të ndërgjegjshëm se drejtësia do t’i arrijë ato. Askush nuk do të mbetet i padënuar”, tha Ivanov.
Ivanov u shpreh i dëshpëruar nga rezultati i Këshillit të ministrave të BE-së për sa i përket Datës së Negociatave, duke fajësuar fqinjët që nuk kapërcejnë dot të kaluarën. Megjithatë, Ivanov theksoi se Maqedonia do të vazhdojë të mbetet besnike ndaj përcaktimit të euro-integrimit./Indeksonline/