E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reciprocitet për lëvizjen

Në raundin e tretë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë është hapur tema e lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve. Pala serbe ka propozuar disa zgjidhje që aplikohen mes shteteve që nuk kanë raporte normale. Është përmendur shembulli Maqedoni - Greqi. Edita Tahiri tha për Express se Kosova insiston në zbatimin e reciprocitetit për çdo zgjidhje. Nga Valmir Klaiqi më 16 prill 2011 në ora 08:02

Në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për herë të parë është folur për gjetjen e zgjidhjes për lëvizje të lirë të qytetarëve mes dy vendeve.

Kosovarët nuk mund ta kalojnë kufirin me Serbinë me pasaportë të Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë për Express se pala serbe ka bërë disa propozime për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ne i kemi marrë si propozime të tyre dhe do t’i analizojmë dhe në faza të tjera do të japim sigurisht mendimin tonë për to. Mirëpo, është me rëndësi vetë fakti se të dyja vendet duan sa më shpejt të bëhen pjesë të BE’së, atëherë gjithsesi pritet që Serbia të bëjë avancime në kuptim edhe të filozofisë politike për të vënë në praktikë vlerat dhe parimet evropiane”, ka thënë ajo në një prononcim përmes telefonit, pak pas përfundimit të takimit në Bruksel.

Ajo shtoi se Kosova në këtë temë ka qenë në avantazh për faktin se jo vetëm që në Kushtetutën e Kosovës tashmë ky parim është pjesë integrale, por edhe zbatohet në raport me Serbinë.

Pra, Kosova i njeh pasaportat, dokumentet – letërnjoftimet apo patentë shoferët, tabelat e regjistrimit, etj.

Mirëpo, Shefja e delegacionit të Kosovës tha se ia ka bërë të qartë palës serbe se për çfarëdo zgjidhjeje për lëvizjen e lirë, Qeveria e Kosovës do të përgjigjet me masa të njëjta.

“Ne kërkuam që edhe ata të ngiten në nivelin e parimeve europiane dhe t`i njohin të gjitha dokumentet dhe targat. Me fjalë të tjera, kërkuam parimin e reciprocitetit për lëvizjen e lirë”.

Zëvendëskryeministrja zbuloi pjesë nga propozimet serbe për lëvizjen e lirë.

“Pala serbe kishte ide, të cilat mundësojnë në një mënyrë lëvizjen e lirë me disa zgjidhje që zakonisht aplikohen për shtetet që nuk janë me marrëdhënie të normalizuara, pra praktikat e ndryshme botërore për këtë çështje. Për shembull, siç është rasti me Maqedoninë dhe Greqinë apo raste të tjera të bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi insistuar dhe mbetemi që për çfarëdo zgjidhjeje të aplikohet parimi i reciprocitetit”, ka thënë ajo.

Për shkak të problemeve rreth emrit, kur qytetarët e Maqedonisë hyjnë në territorin e Greqisë, atyre u jepet një dokument nga autoritetet greke, por u lejohet të bartin pasaportën me vete.

Palët kanë qëndrime të ndryshme edhe lidhur me targat e automjeteve. Kërkesa e palës serbe ka qenë që serbët e Veriut të tolerohen me tabela të tjera.

Por, kjo është kundërshtuar nga delegacioni i Kosovës.

“Ne kemi hedhur poshtë këtë kërkesë, dukë thënë se Kosova është shtet që dëshiron që sundimi i ligjit të veprojë në çdo fushë, prandaj, edhe në këtë aspekt kemi insistuar në parimin e reciprocitetit”, ka thënë Tahiri.

"Në takimin e ndërmjetësuar nga britaniku Robert Cooper, është folur edhe për njohjen e diplomave shkollore dhe universitare. Ekipi nga Prishtina ka kërkuar nga pala serbe që të njohë këto dokumente të Republikës së Kosovës. “Për këtë çështje mbeti që në takimin e ardhshëm të bisedohet më gjerë dhe të dëgjojmë çfarë janë idetë dhe propozimet e palës serbe”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.

Gjatë ballafaqimit të tretë në Bruksel, palët janë rikthyer edhe në temat e hapura që kanë mbetur nga takimet e kaluara.

“Unë mund përsëri t`ju them se për çështje të energjisë ka pasur përparime, për çështjen e telekomunikacionit qëndrimet vazhdojnë të jenë të largëta. Për çështjet e regjistrave civilë po vazhdon procesi që mund të shkojë drejt një zgjidhjeje. Për çështje të kadastrave mbeten qëndrimet e largëta, ndërsa për çështjen e vulave të doganave, po ashtu Serbia edhe më tutje, nuk po tregohet e gatshme për kompromise, edhe pse vulat e Doganave të Kosovës i ka njohur BE’ja dhe shtetet e BE’së. Sado që ata deklarohen pro integrimit europian, në praktikë nuk tregohen ende të gatshëm që t’i zbatojnë këto parime”, ka thënë Shefja e delegacionit të Kosovës.

Ajo tha se edhe ky raund ka shënuar përparime.

“Qëndrimi ynë është që të lëvizim më shpejt dhe të orientohemi drejt esencës së çështjeve, në mënyrë që të dalim me zgjidhje për këto çështje, sepse ne jemi të interesuar që përmes këtij dialogu teknik të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Por, edhe jemi të interesuar që Kosova sa më shpejt të bëhet pjesë e BE’së. Pra, ne kemi objektiva të qarta dhe mbi këto objektiva është edhe konstruktiviteti ynë në këtë dialog”, ka thënë Tahiri.

Raundi i tretë ka filluar me takimet mes ekspertëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, në të cilat është biseduar për librat amzë, energjetikën dhe telekomunikacionin.

Ndërkaq, takimi mes shefave të delegacioneve ka filluar në orën 15:00 dhe ka zgjatur deri pas orës 20 në mbrëmje.

Para fillimit të takimit, zëvendëskryeministrja Tahiri ka deklaruar se “Serbia që nga përfundimi i luftës nuk i respekton parimet për lëvizje të lirë, edhe pse pretendon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”.

Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic, ka deklaruar të premten se në dialog me ekipin e Prishtinës pret marrëveshje për dokumentacionin kadastral dhe librat e amzës, por ka propozime edhe për dokumentet personale dhe targat e automjeteve.

“Kemi ardhur të vetëdijshëm se një nga temat do të jetë edhe liria e lëvizjes, përkatësisht përdorimi i letërnjoftimeve dhe të ashtuquajturave pasaporta të Kosovës, si dhe tabelat e automjeteve, që në masë të madhe vështirëson jetën e njerëzve tanë në Kosovë”, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Pranimi i propozimit serb, sipas tij, do të mundësonte që “njerëzit të lëvizin lirisht, duke ruajtur pikëpamjen e secilit lidhur me statusin e Kosovës”.

Ai ka shtuar se kjo nënkupton kalimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë me dokumente të udhëtimit të Kosovës. “Mund të gjendet një emërues i përbashkët për këtë”, ka thënë ai.

Shefi i ekipit serb thotë se zgjidhjet nuk do të shkelin sovranitetin e Serbisë.

“Me këtë rast ne kemi sjellë disa zgjidhje të cilat ruajnë sovranitetin tonë, por edhe ofrojnë mundësi që të zhvillohet jeta normale në terren”, ka thënë Stefanovic.

Stefanovic ka thënë se delegacioni i Serbisë ka ardhur në Bruksel me propozime “të cilat do të mundësojnë lëvizje normale. Këto zgjidhje, tha ai, paraprakisht i janë bërë të ditura Bashkimit Europian.

Raundi i katërt i dialogut mbahet rreth gjysmës së muajit të ardhshëm.

Delegacioni i Kosovës

Në delegacionin e udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kanë marrë pjesë:
Lirim Greiçevci- këshilltari politik i Kryeministrit Thaçi, këshilltarët e Zëvendëskryeministres Tahiri: Dren Zeka, Gazmir Raci dhe Arjeta Rexhaj.
Gjithashtu, në delegacion kanë qenë edhe ekspertët Ali Hamiti – kryesues i ZRrE-së, Fadil Ismajli-kryeshef i KOSTT-it, Arben Gjukaj-drejtor i KEK-ut, Naim Bejtullahu-anëtar i Bordit të KOSTT-it, Llyr Rowlands-këshilltar në KEK, Ekrem Hoxha-kryesues i ART-së, Lulzim Kurtaj-anëtar i Bordit të ART-së, Elvis Pista-PTK, Bardhyl Jashari- këshilltar i Ministrit Bajram Rexhepi, Blerim Camaj, Sabahate Muharremi dhe Shkumbim Kastrati nga MPB.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›