E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ia sheh sherrin futsallit

Muhamet Dragusha ia ka parë sherrin futbollit të vogël (futsallit). Mesfushori kosovar është arsyetuar te shtabi teknik i klubit të tij Gjilani, se ishte i lënduar, ndërsa gjatë javës që shkoi ka luajtur në një turne të futbollit të vogël, që është mbajtur për nder të dëshmorëve të UÇK-së, duke munguar njëkohësisht në stërvitjet e ekipit Vjollcë.

Palët tregojnë versione të kundërta: trajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti, ndihet i tradhtuar nga ish futbollisti i Prishtinës, i Vëllaznimit, i Kosovës (V) dhe i Ballkanit, ndërsa “Muja” pranon se ka luajtur vetëm në finale të turneut për ta ndihmuar ekipin e tij. Kjo i ka kushtuar mesfushorit ofanziv me mospërfshirje në ekip të dielën kundër KEK-ut, të cilën ndeshje e fituan gjilanasit me rezultat 2:1.

“Dragusha ka bërë tradhti ndaj nesh dhe nuk dua të merrem me të. Ai na ka gënjyer kinse ishte lënduar në ndeshje me Hysin, me ç’rast unë dyshoja sepse një lëndim i tillë nuk ishte parë në atë ndeshje. Ai nuk ka stërvitur me ne prej të hënës deri të shtunën ose më mirë të themi ka stërvitur vetëm një herë një gjysmë ore, ndërsa ka luajtur në një turne në futboll të vogël të mbajtur në Prishtinë, për nder të dëshmorëve të UÇK-së”, njofton Sahiti për Express.

Trajneri gjilanas tregon se kishte marrë ftesë zyrtare për ta parë finalen e këtij turneu, ndërsa befasisht e kishte parë “Mujën” duke luajtur. “Siç thotë populli, ‘e kam nxënë me pelë për dore’. Paramendojeni, ai ka luajtur të shtunën, një ditë para ndeshjes shumë të rëndësishme me KEK-un. Kjo nuk është korrekte, kur kihet parasysh se ne ia kemi plotësuar të gjitha kushtet, nuk lejohen këto gjëra”, vazhdoi Sahiti.

Sipas tij, tash i mbetet Komisionit Disiplinor të klubit që ta thotë fjalën e fundit, të cilën do ta respektojë Sahiti. Gjilanasi thotë se në futboll nuk mjafton vetëm kualiteti, por se atij i duhen futbollistë me karakter e jo lojtarë që sillen në mënyrë të tillë.

Në anën tjetër, Dragusha, i cili nuk u përfshi as në 18-sh të Gjilanit në ndeshjen me KEK-un, deklaron se një lëndim i pësuar në muskul të këmbës në ndeshje me Hysin ka bërë që ai të mungojë gjatë javës në stërvitje.

Ndërsa shton se të shtunën ka provuar ta ndihmojë vetëm në finale një ekip në një turne të futbollit të vogël, por që e kishte parë se për shkak të lëndimit nuk mund ta jepte kontributin dhe nuk kishte luajtur shumë.

“E kam pasur një bashkëfjalim me trajnerin. Ndoshta ka keqkuptime, por unë nuk kam kurrfarë mosmarrëveshjeje as me trajnerin e as me kryesinë. Unë do t’i vazhdoj stërvitjet dhe sigurisht do të mundohem ta ndihmoj ekipin të mërkurën, në një ndeshje të rëndësishme kundër Besës”, tha Dragusha.

Ky nuk është rasti i vetëm sepse shumë futbollistë kosovarë, edhe pse kanë angazhime me klubet e tyre, preferojnë të luajnë “në të zezën” edhe në futsall, duke rrezikuar seriozisht të lëndohen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›