E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina në Barcelonë

Klubi i futbollit Prishtina, me ekipet U-15 dhe U-17, do të marrë pjesë në turneun ‘Copa Cataluna’, i cili do të mbahet gjatë verës në Barcelonë të Spanjës. Bardh e kaltrit javë më parë e kanë marrë ftesën nga organizatori, të cilën më pas e kanë konfirmuar.

Turneu tradicional, i cili do të mbahet për herë të 23-të, do të fillojë më 27 qershor, ndërsa do të përfundojë më 3 korrik të këtij viti. Këtë e ka bërë të ditur të hënën drejtori i shkollës së futbollit Prishtina, Kushtrim Munishi.

”Ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen tonë me ekipet e grupmoshave U15 dhe U17, kështu që jemi organizuar dhe jemi gati për pjesëmarrje në këtë turne. Dihet se Spanja ende nuk e ka pranuar Kosovën si shtet, kështu që Prishtina në këtë shtet do të shkojë si ambasador i Kosovës”, tha Munishi.

Turneu për të rinj ‘Copa Cataluna’, që mbahet në ‘Costa de Barcelona-Maresme’, në veri të Barcelonës, është mjaft i njohur në Evropë. Aty marrin pjesë ekipe të mëdha evropiane, ndërsa sivjet për herë të parë do të jenë pjesë e tij edhe prishtinasit. Ky kompeticion përfshin grupmoshat U-11, U-13, U-15, U-17 dhe U-19 (juniorët), si dhe në konkurrencën e femrave U-15 dhe U17 (junioret).

Në dy vjetët e fundit kanë marrë pjesë 106 ekipe nga vende të ndryshme evropiane si: Shqipëria, Algjeria, Austria, Kroacia, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Britania e Madhe, Greqia, Izraeli, Italia, Maqedonia, Malta, Irlanda e Veriut, Portugalia, Rumania, Rusia, Spanja, Suedia, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk e dimë ende se sa skuadra marrin pjesë sivjet apo nga cilat vende, por e dimë se është turne prestigjioz dhe mjaft i njohur në Spanjë, por edhe në Evropë. Ne si Prishtinë do të mundohemi ta përfaqësojmë atje sa më mirë Kosovën”, tha në fund ish futbollisti kosovar, Kushtrim Munishi.

Përpos turneut, për ekipet pjesëmarrëse është rezervuar edhe rekreacion, duke përfshirë këtu pjesëmarrjen në ‘show’ të ndryshëm, lojën bowling, vizitë detit, si dhe ëmbëlsira për fund – vizitë në stadiumin Camp Nou të Barcelonës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›