E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra ndëshkon Ujkanin, Milani i afrohet Juves

ITALI- Milani ka mposhtur 3-0 Novarën dhe i është afruar sërish me 1 pikë Juventusit, që të shtunën në mbrëmje fitoi 2-0 me Atalantën. Kuqezinjtë, të udhëhequr nga një Zllatan Ibrahimoviç në formën më të mirë, kanë dalë me 3 pikë nga transferta ndaj skuadrës së vendit të fundit në renditje. Portieri i kombëtares shqiptare Samir Ujkani, një nga më të mirët në fushë, e ka patur të pamundur të ndalojë kampionët e Italisë, ndonëse në të paktën 4 raste ishte deciziv me pritjet e tij. Ibrahimoviç hapi serinë e golave në minutën e 57-të, pas një asisti të Ambrozinit. Më pas, ishte Robinjo që dyfishoi shifrat, duke shtyrë në rrjetë goditjen e El Sharauit. Në minutën e fundit, Ibra shënoi edhe golin e tretë, duke dërguar në rrjetë nga shumë pranë një top të grushtuar nga Ujkani. Në ndeshjet e tjera, spikat barazimi 1-1 i Napolit në fushën e Sienës. Edhe pse dominoi totalisht, skuadra e Maxarrit u ndëshkua nga Kalaio në minutën e 67-të. 13 minuta më pas Kavani humbi një penallti, por ishte Pandev, që 5 minuta para fundit barazoi shifrat. Fitore e rëndësishme për Palermon, që në shtëpi mundi 5-3 Xhenoan, në një ndeshje spektakolare, në të cilën dy skuadrat luajtën praktikisht pa mbrojtës. Në mesditë, Bolonja e Parma barazuan pa gola, ndërkohë që me të njëjtin rezultat përfundoi edhe ndeshja Kaljari-Fiorentina. Ndërkaq, Udineze iu rikthye fitores, duke mposhtur 2-1 Katanian në Friuli.
Seria A
Roma-Çezena 5-1
Atalanta-Juve 0-2
Dje
Bolonja-Parma 0-0
Novara-Milan 0-3
Siena-Napoli 1-1
Palermo-Xhenoa 5-3
Udineze-Katania 2-1
Kaljari-Fiore 0-0
Leçe-Kievo 2-2
Inter-Lacio
(ma.ar/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›