E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahim Kodra në duart e Mulliqit

12/04/2012  Puna e tij do të vendoset në një muze në Durrës. Ai i është kushtuar me gjithë shpirt realizimit të shtatores për piktorin Ibrahim Kodra dhe kohën më të madhe e kalon në atelie. Skulptori Luan Mulliqi ndjehet përgjegjës, por edhe i lidhur shpirtërisht me këtë “mision”, të cilin e ndërmori, pasi doli fitues i konkursit të realizuar nga fondacioni “Kodra”. Pas më shumë se një muaji punë, Mulliqi është tani në përfundim të realizimit të shtatores. “Mendoj që është afër përfundimit, ka mbetur edhe pak punë. Kompozicioni është i vendosur mirë dhe është shumë afër bocetit, i cili ka qenë fituese në konkurs. Shpresoj që brenda një dite a dy të kryej pjesën e modelimit”, ka thënë Mulliqi për emisionin “Express” në KTV. “Përndryshe, skulptura merr mjaft kohë, pastaj vjen ajo pjesa teknike e shkrirjes”. Por për Mulliqin, realizimi i një skulpture të tillë nuk është vetëm detyrë, pasi ia ka njohur nga afër piktorin e njohur. “Jam takuar disa herë me të. Për herë të parë në ‘68-n në Prishtinë, kur isha student i vitit të parë. Kemi ndenjur së bashku në shtëpinë e axhës tim Muslim Mulliqi”, ka thënë ai. Ai kujton se Kodra ka pasur një konstrukt të fortë, ka qenë edhe kampion në ngritjen e peshave dhe një kohë është marrë me gjimnastikë. Pra, një artist që e ka dashur shumë sportin. Këto fakte, Mulliqi i ka parasysh në realizimin e punës së tij. “Mendoj se jam shumë afër dhe jam duke u munduar ta bëj sa më moderne. Është figurë e lirë në një moment meditimi. E kemi më të lehtë ne artistët kur kemi të bëjmë me një artist që ia kemi njohur talentin, punën dhe intelektin krijues”, ka thënë ai. Mulliqi ka folur edhe për muzeun ku do të vendoset skulptura. “Hapësirën e kam parë. Është e madhe diku 900 metra katrorë dhe pritet që do të vendoset në fund të shtatorit”, është shprehur artisti. Mulliqi po ashtu ka thënë se ka kërkesa që e njëjta skulpturë të vendoset edhe në Zvicër. “Kam marrë një telefonatë nga një grup bashkatdhetarësh në Lugano, të cilët kanë kërkuar që edhe atje të jetë një kopje. Pse jo, meqenëse Kodra ka ndenjur një kohë të gjatë atje”, ka vijuar ai. Ndërkohë, nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, do të ekspozohet “Shqipëria fantastike” e Ibrahim Kodrës. Kodra e realizoi këtë vepër në vitin 1997. E krijuar në stilin kubist, karakteristik për piktorin, në teknikën e vajit në kanavacë ku ndërthuren disa peizazhe, vepra është ndër më të njohurat e këtij artisti. Ajo do të prezantohet bashkë me disa vepra të tjera të Kodrës dhe të gjithë punët përfshihen në një cikël që mban po ashtu emrin “Shqipëria fantastike”. Në kohën kur e realizoi veprën, piktori Ibrahim Kodra jetonte larg Shqipërisë (ishte larguar që në vitin 1938), megjithatë ngjarjet e të përfolurit viti 1997 e ngacmuan dhe e prekën. Pikërisht në këtë moment “interesant” të jetës dhe “gjendjes fantastike” shqiptare, ai realizon këtë punë të vetën. Në pikturë rrëfehen shumë elementë të jetës dhe kulturës së vendit tonë. Në të jepet një sfond malor mesdhetar me fshatra të ndërtuara në shpatin bregdetar, ndërsa në mënyrë delikate vihet theksi edhe mbi tolerancën fetare, ku kisha dhe xhamia qëndrojnë krah njëra-tjetrës. Artisti aludon me elemente të tjera të rëndësishme arkitektonike të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, siç është Kalaja e Krujës, apo tempulli në Apoloni. Të gjithë këto elemente i vendos bashkë në kohë, e pikërisht në mëngjes. Pikërisht mëngjesi mund të lexohet si një simbol për fillim të ri. Një femër që luan në lahutë, ndërsa një pikë loti rrëshqet në faqen e saj, është një nga “elementët” më të dallueshëm të kësaj pikture. Pikërisht kjo figurë e vajzës lahutare mund të shihet si simbol i muzikës dhe gëzimit në kontekstin shqiptar, nëse i referohemi Gjergj Fishtës te “Lahuta e Malcis”, por mund të interpretohet gjithashtu si simbol i lirisë. Siç është vërejtur, “lotët e saj janë një dëshmi e dëshirës për të qenë e lirë përballë një vendi që po vetëshkatërrohet”. Në pikturë shihen edhe disa anije që lundrojnë, të cilat simbolizojnë dëshirën për të lëvizur të lirë, duke shprehur eksodin e shqiptarëve në vitin ’97 dhe më parë. Cikli që prezantohet në GKA me veprat e Kodrës në linjën e veprës “Shqipëria fantastike”, paraqet Shqipërinë në tre kohë: si ka qenë, si është dhe çfarë mund të bëhet. Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri më 20 maj. Veprat që do të paraqiten vijnë nga Milano dhe ekspozohen në bashkëpunim me fondacionin “Kodra” në Milano, që ka në pronësi disa prej tablove të piktorit Ibrahim Kodra. Kodra ka lënë pas rreth 6000 vepra të shpërndara nëpër muze private e koleksioniste. Vetëm 2000 prej tyre janë të regjistruara e të dokumentuara. Ai ka hapur ekspozita në vende të ndryshme të botës me piktorët më të njohur bashkëkohorë, si ekspozitë kolektive në “Paradise”, me piktorë si Picasso, Dali, Matta, Ernest, Levi, Panseca, Braque etj. Ekspozitë kolektive në “Stone Gallery” në Newcastle me Corneille, Gear, Gleghorn, Michaux, Millares. Ekspozita në Itali, Gjermani, Francë, Amerikë etj. Ai ka pasur rastin të prezantojë punën e tij në një ekspozitë kolektive bashkë me Pablo Picasson. Kodra ka vdekur në vitin 2006 në Milano, ku jetonte prej 30 vjetësh.

B.Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›