E Diel, 1 Nëntor 2026

Harta me 1853 apartamentet që shkojnë për hipotekim

12/04/2012  Lista e 33 objekteve e firmave që kalojnë për regjistrim

Zgjerohet më tej harta e apartamenteve që shkojnë për mbylljen e procesit të hipotekimit në kryeqytet. Pas dhënies së lejeve të përdorimit për 33 objektet e radhës Bashkia e Tiranës ka detajuar listën e vendndodhjes së banesave dhe firmave ndërtuese që do të përmbyllin procedurat e hipotekimit në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë listën me subjektet ndërtuese dhe zonat ku ndodhen godinat e 1853 apartamenteve që marrin hipotekat. Me zhbllokimin e kësaj procedure në mbyllje të vitit të shkuar deri më tani kanë marrë lejen e përdorimit 168 subjekte të ndryshme ndërtimore, të cilat sigurojnë hipotekimin e 5230 apartamenteve në kryeqytet. Ndërkohë në pritje për lejet e përdorimit janë edhe mbi 280 objekte të tjera ndërtimore, hipotekimi i të cilave parashikohet të mbyllet brenda vitit. Dy ditë më parë kryebashkiaku Lulëzim Basha u ka kërkuar ndërtuesve në kryeqytet që të tregohen të përgjegjshëm dhe të plotësojnë dosjet me dokumentet e kërkuara, pasi 27 leje janë peng mosplotësimit të dokumenteve. Bashkia ka përfunduar punën edhe për rreth 27 dosje, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me leje përdorimi. Plotësimi i dokumenteve për këtë grup prej 27 dosjesh do të bëjë të mundur hipotekimin e 920 apartamentesh banimi, një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi. Basha ka bërë kritika të ashpra në drejtim të ndërtuesve, duke pohuar se nuk do të lejojë penalizimin e qytetarëve nga papërgjegjshmëria e disa subjekteve ndërtuese, që nuk kanë përfunduar dosjet e tyre për afro 130 objekte me mbi 2000 apartamente. “Është e pamoralshme të paraqiteni në dyert e Bashkisë vetëm kur keni nevojë, vetëm për të zgjidhur një problem tuajin, dhe atëherë kur kërkohet të zgjidhni problemet e një kolektivi të tërë klientësh apo ish-klientësh që kanë paguar për banesat e tyre, ta kemi të vështirë t’ju gjejmë me celularë, e-mail, adresë apo me korrierë. Kjo pa dyshim nuk do të shkaktojë bllokimin e procesit, por do të detyrojë Bashkinë e Tiranës të devijojë më shumë burime njerëzore e financiare, të angazhojë kolaudatorë privatë me fondet e veta, që natyrisht janë fonde të taksapaguesve dhe fondet tuaja, për të përmbyllur një proces që mbeti i hapur për shkak të papërgjegjshmërisë së disave”, - ka pohuar Basha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›