E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Po monitorojmë tregjet për të ndaluar spekulimet dhe për të mbrojtur familjet shqiptare

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria po monitoron çdo lëvizje në tregjet vendase për të parandaluar sjelljet spekulative që mund të dëmtojnë familjet shqiptare.

Gjatë një interviste në media, ministrja Ibrahimaj siguroi se, në rast se konflikti në Lindjen e Mesme do të zgjasë, qeveria shqiptare do të ndërhyjë me paketa mbështetëse për kategoritë më të prekura.

“Qeveria ka nisur monitorimin e tregjeve që nga fillimi i konfliktit, duke bashkëpunuar me grosistët dhe operatorët e karburanteve. Rezervat dhe kontratat afatgjata garantojnë furnizimin dhe nuk pritet të kemi problematika në zinxhirin e furnizimit”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, çmimi i karburanteve në bursë dhe në tregjet e pakicës mund të luhatet, pasi Shqipëria është importuese neto e naftës, dhe nuk ka mundësi ta zëvendësojë me prodhim vendas, për shkak të mungesës së impianteve përpunuese në vend.

Megjithatë, ministrja tha se rezervat e detyrueshme janë për 30 ditë, ndërsa sipas informacionit të mbledhur, disa operatorë kanë anije që janë në rrugëtimin drejt portit të Durrësit që garantojnë furnizim për 90 ditë.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se po hartohet një projektligj për krijimin e një entiteti shtetëror që do të menaxhojë rezervën e karburanteve për 90 ditë, i cili pritet të kalojë në qeveri brenda tre javëve të ardhshme.

Ky mekanizëm, shtoi ajo, synon të shmangë luhatjet e çmimeve gjatë krizave dhe të sigurojë një furnizim të qëndrueshëm.

Ibrahimaj deklaroi se janë në monitorim të vazhdueshëm çmimet e ushqimeve, energjisë elektrike dhe grurit.

Duke u ndalur te çmimet e ushqimeve, ministrja tha se është hartuar një listë mallrash dhe çmimi i këtyre produkteve po monitorohet nga qeveria dhe INSTAT-i dhe se deri tani nuk është vërejtur rritje e çmimeve.

Ministrja theksoi edhe se rritja e çmimit të karburanteve ka ndikim të drejtpërdrejtë në kostot e prodhimit bujqësor, pasi ndikohen inputet dhe transporti i produkteve ushqimore.

“Qeveria po monitoron situatën për të siguruar masat mbështetëse për sektorin”, tha ajo.

Ibrahimaj siguroi se qeveria po vazhdon monitorimin e tregjeve për të ndërhyrë në kohë dhe për të mbrojtur ekonominë nga faktorët e jashtëm.

“Në momentin që do të shikojmë që do të ketë rritje të çmimeve do të ndërhyhet në kohë, ashtu sikurse edhe gjatë krizave të mëparshme, si pandemia dhe lufta në Ukrainë, ku qeveria ndërhyri me pagat e luftës dhe paketat për kategoritë më të prekura, duke ruajtur rritjen ekonomike dhe punësimin”, u shpreh ministrja.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›