Raporti INSTAT, ministrja Krifca: Eksporti i produkteve bujqësore i rikthehet rritjes së fortë dyshifrore

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca duke iu referuar raportit të Tregtisë së Jashtme, të publikuar nga INSTAT gjatë kësaj jave, u shpreh se eksporti i produkteve bujqësore i rikthehet rritjes së fortë dyshifrore për të tretin muaj radhazi në maj, duke bërë që i gjithë pesëmujori të qëndrojë me tendencë pozitivë.
Sipas raportit, eksportet e produkteve bujqësore për muajin Maj 2023 dhe periudhën Janar-Maj 2023, shënojnë rritje dominante në grupmallrat “Ushqim, pije, duhan””.
Për 5 mujorin, ky grup është zgjeruar me 15% për shkak të ecurisë së mirë që shënoi që prej fillimit të vitit. Në maj sektori i bujqësisë iu rikthye rritjes së shpejtë të eksporteve, që u zgjeruan me 24.6%.
Ministrja Krifca theksoi se, rritjen e eksporteve e ka mundësuar zgjerimi i prodhimit bujqësor vendas falë përpjekjes dhe punës së palodhshme të fermerëve, por edhe falë mbështetjes së qeverisë.
“Politikat e duhura kanë mbështetur zinxhirin prodhues-grumbullues e standardizues të produkteve që ka forcuar pozicionin “made in Albania” në tregjet e eksportit, duke na sjell më afër me përmbushjen e objektivit prej 1 miliard dollarë eksporte bujqësore brenda vitit 2030”, u shpreh ministrja, teksa vuri në dukje, se sot eksportet bujqësore shqiptare, shkojnë në 78 shtete të botës.
/rtsh.al/