Ibrahimaj: Të gatshëm të marrim masa shtesë nëse rriten më tej çmimet

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj foli sot në Kuvend mbi masat që ka marrë qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve të shkaktuara nga situata e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i saj në tregjet ndërkombëtare.
Ibrahimaj iu përgjigj interpelancës së kërkuar në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo lidhur me këtë çështje.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se këto zhvillime reflektohen natyrshëm dhe në mënyrë direkte në tregun vendas.
“Për rrjedhojë, kur në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës rritet, efekti ndihet në vendin tonë në mënyrë të menjëhershme. Rriten kostot e transportit, krijohet presion mbi çmimet e mallrave, ndikohet aktiviteti i biznesit dhe preket fuqia blerëse e qytetarëve. Por, sigurisht, pyetja kryesore sot nuk është nëse Shqipëria mund ta ndalojë këtë krizë, nëse Shqipëria mund të ndalojë rritjen e çmimeve. Pyetja kryesore është: si ka vepruar qeveria shqiptare për të mbrojtur qytetarët, për të shmangur abuzimet dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik”, tha Ibrahimaj.
Ministrja siguroi se qeveria ka vepruar në kohë, me përgjegjësi dhe me maturi.
“Kemi shmangur panikun, kemi shmangur spekulimet dhe, padyshim, kemi shmangur premtime të pamatura, që dëmtojnë buxhetin dhe rrezikojnë stabilitetin makroekonomik. Kemi zgjedhur të reagojmë me qetësi dhe me përgjegjësi, me monitorimin e tregut, me transparencë, me mbështetje të targetuar dhe në mbrojtje të ekuilibrave ekonomikë të vendit”, tha ajo.
Detyra kryesore e qeverisë, sipas Ibrahimajt “është ruajtja e stabilitetit”.
“Në situata të tilla rreziku, ne jemi kujdesur që të monitorojmë rritjen e kostove dhe gjithashtu të monitorojmë tentativat për panik dhe për spekulim. Pikërisht për këtë arsye, ndërhyrja e shtetit përmes monitorimit dhe transparencës, në gjykimin tonë, është thelbësore. Gjatë muajve të kaluar, që prej fillimit të luftës dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, apo bllokimit të Kanalit të Hormuzit, ngritëm menjëherë një komunikim të drejtpërdrejtë me furnizuesit e karburanteve në vend, për të vlerësuar gjendjen e rezervave dhe zinxhirin e furnizimit”, shtoi ajo.
Së pari Ibrahimaj theksoi se qeveria u sigurua se nuk kishte rrezik lidhur me zinxhirin e furnizimit të karburanteve në vend. “Ngritëm disa grupe nga institucione të ndryshme për monitorimin e tregut, në mënyrë që të monitoronim nëse do të kishte spekulime me rritjen e çmimeve të karburanteve, me çmime të cilat tejkalonin rritjet e çmimeve ndërkombëtare, por edhe spekulime me rritjen e çmimeve të tjera”, shtoi ajo.
Po ashtu, sipas ministres nën monitorim janë edhe çmimet e të gjithë produkteve të shportës së konsumit.
Ibrahimaj u ndal edhe te aktivizimi i Bordit të Transparencës për karburantet, i cili vendos çmimet tavan dhe kontrollon marzhet e tregtimit me shumicë dhe me pakicë, duke siguruar që luhatjet e bursës të reflektohen në mënyrë të drejtë dhe pa hapësirë për spekulim.
“Rritja në bursat ndërkombëtare për karburantet është diku tek 67% deri në 87% që nga fillimi i krizës. Sigurisht, ne analizën e bëjmë nga periudha para krizës, sepse duam të kuptojmë efektet e krizës. Ndërkohë, në tregun vendas, rritja e çmimit të karburantit ka qenë shumë më e moderuar. Sipas të dhënave të INSTAT, çmimi i naftës është rritur mesatarisht me 18 deri në 21% gjatë muajve mars dhe prill 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, shtoi Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se në krizën aktuale, ndërhyrja është përqendruar te karburantet, te transporti publik, te monitorimi i tregut dhe transparenca.
“Diferenca mes rritjes ndërkombëtare dhe rritjes në tregun vendas vjen si rezultat i ndërhyrjeve që ne kemi bërë, i dialogut me operatorët, i monitorimit të përditshëm dhe i kufizimit të hapësirës për abuzim. Nëse qeveria nuk do të kishte ndërhyrë, rritja ndërkombëtare do të ishte pasqyruar më shumë në tregjet lokale dhe në çmimin final për qytetarët. Pikërisht për këtë arsye ne gjykojmë që masat e marra kanë pasur një rezultat konkret”, shtoi ajo.
Në tërësi, sipas ministres Ibrahimaj,” masat e marra ishin të kujdesshme, jo të nxituara, të marra në kohën e duhur, ishin masat e duhura për strukturën ekonomike që ka vendi”.
“Shqipëria, në muajin prill 2026, ka një inflacion prej 2.8%, që për të gjithë ekonomistët në sallë do të thotë se është një inflacion i cili është afër targetit të Bankës së Shqipërisë, që do të thotë se është një inflacion i cili garanton një zhvillim ekonomik afër potencialit që ekonomia ka. Në muajin mars inflacioni ishte 2.6%, në muajin shkurt 2.5% dhe në janar 2.3%. Shqipëria, në muajin prill, renditet ndër vendet që ka inflacionin më të ulët në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Juglindore”, theksoi ajo.
Për krahasim, Ibrahimaj theksoi se në të njëjtin muaj, inflacioni në Serbi ishte 3.3%, në Mal të Zi 3.8%, 5.7% në Maqedoninë e Veriut, 5.4% në Greqi, 5.8% në Kroaci dhe 10.7% në Rumani. Italia ishte në të njëjtin nivel me Shqipërinë, 2.8%, ndërsa Franca ishte 2.2%.
“Kjo tregon që Shqipëria ka ruajtur një mjedis çmimesh relativisht më të qëndrueshëm se shumica e vendeve të rajonit dhe disa vende të Bashkimit Europian. Shqipëria ka pasur një ecuri gjithashtu të mirë të inflacionit të ushqimeve”, tha Ibrahimaj.
Lidhur me propozimet e opozitës për të dhënë subvencione, Ibrahimaj theksoi se “e vërteta është se inflacioni i ushqimeve në shkurt ishte 1.6%, në mars 1.1% dhe në prill 1.2%”.
“Këto janë të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave dhe këto nivele janë ndjeshëm më të ulëta se në disa vende të Bashkimit Europian, ku presionet ndaj rritjes së çmimit të ushqimeve kanë qenë më të larta”, tha ajo.
Sa i takon energjisë elektrike, Ibrahimaj theksoi se “Shqipëria paraqitet me një ecuri të qëndrueshme për konsumatorët, ndërkohë që treguesit e energjisë elektrike tregojnë për një reduktim të çmimit të energjisë elektrike”.
“T’i rikthehemi shportës së konsumit: pesha e ushqimeve është 31.3%, transporti 6.4%, karburantet për transport personal janë 3.5% dhe energjia elektrike 4.9%. Këto janë shifra të cilat tregojnë dhe ndikojnë politikat që ne duhet të ndërmarrim dhe ku duhet të kemi kujdes, me qëllim që, në fakt, ajo që paralajmërohet nga rritja e çmimit të karburanteve, kur të ndodhë, ne të jemi në alert dhe të marrim masat e duhura. Por e vërteta është që çmimet e ushqimeve nuk janë rritur. Inflacioni është nën targetin e Bankës së Shqipërisë dhe rritja e çmimeve ka qenë më e moderuar sesa në vendet e rajonit”, tha ajo.
Ibrahimaj theksoi se qeveria ka marrë masa dhe politika me qëllim që të garantojë që inflacioni të mos gërryejë të ardhurat e qytetarëve shqiptarë.
“Ekonomia shqiptare ka pasur një rritje pozitive. Ne kemi treguar kapacitet në menaxhimin e krizave dhe prandaj nuk nxitohet për të thënë se do të japim kaq milionë subvencione apo do të reduktojmë kaq taksa, kur situata aktuale, përveç çmimeve të karburanteve, nuk është në gjendjen që të kemi subvencione të tjera. Nuk kemi pritur periudha krizash për të ndikuar në të ardhurat e qytetarëve, por kemi garantuar një politikë mbështetëse e cila ka qenë konstante, ku vit pas viti kemi pasur rritje të pagave dhe të pensioneve”, tha ajo.
Për sa i takon të dhënave të biznesit, Ibrahimaj theksoi se “të dhënat e aktivitetit ekonomik të muajve të parë të vitit tregojnë për një përmirësim të situatës ekonomike të bizneseve, duke u nisur nga xhiroja e bizneseve, nga importet, nga tregtia, por edhe nga vetë numri i bizneseve të reja të regjistruara”.
“Vetëm për dy muajt e parë të vitit kemi 3760 biznese të reja të regjistruara, ose 14.6% më shumë se një vit më parë. Qarkullimi total për tremujorin e parë të vitit është rritur me 8.1%. Në periudhën janar-mars, sektori i tregtisë u rrit me 3.8%. Punësimi gjithashtu ka ardhur në rritje. Importet e kategorisë “ushqim, pije, duhan” kanë ardhur në rritje me 4.3% në vlerë dhe me 19.1% në vëllim. Ky është një tregues që, në fakt, përafron të dhënat mbi konsumin, që tregon se konsumi i familjeve shqiptare ka ardhur në rritje”, tha Ibrahimaj.
Në përfundim, Ibrahimaj theksoi se nëse zhvillimet ndërkombëtare do të përkeqësohen, ne jemi të gatshëm që të marrim masa shtesë, siç kemi bërë edhe në të kaluarën.
“Por deri më sot faktet janë këto: çmimet ndërkombëtare të naftës janë rritur më shumë sesa çmimet në tregun vendas. Inflacioni mbetet i moderuar. Inflacioni ushqimor mbetet në nivele më të ulëta dhe, në disa raste, në rënie të ritmit të rritjes në krahasim me vitin e kaluar. Transporti publik është subvencionuar nga qeveria, duke ndikuar në mosrritjen e kostos, dhe dua të kujtoj që transportin publik, në fakt, e përdorin ato shtresa të cilat janë më në nevojë”, tha ajo.
Sipas Ibrahimaj, çdo masë e re sociale do të aktivizohet menjëherë nëse vihet re që të ardhurat e familjeve shqiptare do të preken.
“Qeveria, sigurisht, nuk do të rrijë duarkryq nëse situata përkeqësohet, por ndërhyrjet e panevojshme, kur tregu funksionon, janë keqmenaxhim i burimeve publike. Pra, nëse pyetja është: a është qeveria që po e krijon apo po e shkallëzon krizën? Përgjigjja është Jo. Dhe nëse pyetja është: a po e përdor opozita këtë krizë për kapital politik?
Përgjigjja është Po”, tha Ibrahimaj. /j.p/