Ibrahimaj: Vetëm 10% e eksporteve do të skanohen, ulet koha e procedurës me 2-4 orë

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se koha e përpunimit të mallrave në eksport do të ulet ndjeshëm, pasi vetëm 10% e mallrave do të skanohen, ndërkohë që sot skanohen 100% e eksporteve.
Kjo u bë e ditur në një takim me përfaqësues të bizneseve të transportit, për të dëgjuar shqetësimet lidhur me vonesat nga fluksi i ngarkesave, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se ulja e kohës së transportit në port do të bëhet e mundur pas një marrëveshjeje të arritur mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Autoritetit Portual dhe Policisë së Shtetit.
Palët kanë rënë dakord për shfuqizimin e disa urdhrave burokratikë.
“Sot jemi në një nivel të skanimit 100% në eksport dhe nga firmosja e marrëveshjes dhe shfuqizimi i disa urdhrave burokratikë skanimi në eksport do të shkojë në nivelin 10%. Ky hap do të bëjë që i gjithë procesi të lehtësohet me të paktën 2-4 orë për çdo transportues”, deklaroi Ibrahimaj.
Më tej, ministrja tha se zhvillimet në ekonomi në 10 vitet e fundit janë transferuar në të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Transporti, logjistika është një sektor ndihmues i tregtisë që përbën rreth 20% të PBB dhe me 2,5-fishimin e PBB ka pasur dyfishim të vëllimit dhe vlerës së mallrave që transportohen në Portin e Durrësit. Sot Porti i Durrësit nuk i shërben vetëm Shqipërisë, por i shërben të gjithë rajonit. Këtu kalojnë mallra transit për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, apo Serbinë dhe kjo ka sjellë edhe një mbingarkesë të portit”, tha Ibrahimaj. /j.p/