E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Skanimi i mallrave në pikat doganore, mbi bazë risku

TIRANË, 8 prill/ATSH-Maela Marini/ Skanimi i mallrave në pikat doganore do të kryhet me kontrolle të befasishme mbi bazë risku, duke ulur kështu kostot për operatorët.

Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësues të bizneseve të transportit në portin e Durrësit.

“Duke pasur parasysh tanimë një kurikulum të kompanive tuaja, natyrën e aktiviteteve tuaja, kontributet tuaja jo thjesht në ekonomi në tërësi por si taksapagues, ne do të fillojmë të operojmë me kontrolle në bazë risku”, theksoi Rama.

Kryeministri informoi se nga 100 dalje nga porti vetëm në 10 raste do të bëhet skanimi.

“Është një shifër e arsyeshme si fillim, pastaj të shkojmë në më pak dhe të kalojmë në një skemë që të jetë jotransparente në kuptimin që nuk do të jetë e ndarë me ju, por me një numër më të vogël kontrollesh të befasishme për të parë mbi bazë risku ose sinjalizimi nëse ka problem. Do të firmoset dhe nga sot, ju do të keni këtë lloj regjimi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “e vërteta është që përtej kostos marramendëse që ka koncesioni i skanerëve në dogana për të gjithë operatorët, e ka të mirën që ka ulur në mënyrë të ndjeshme kontrabandën etj”.

Duke folur për propozimin për krijimin e shkollës së shoferëve, Rama tha se “ky është një problem shumë më i madh sesa problemi i Shqipërisë”.

“Ka dhe vende të tjera që po e kalojnë këtë hall me profesionistët dhe me shoferët posaçërisht, sidomos për këtë lloj pune që ka një stres dhe ka një lodhje të veçantë.
Pagat ju i keni rritur në mënyre të ndjeshme, siç e the 1500-2000 euro. Mbase duhen rritur dhe akoma se nuk e di, se s’më takon mua të them se sa duhen bërë dhe sa i kanë konkurrentët. Ndërsa për sa i përket shkollës ne jemi të gatshëm që të ndërtojmë një bashkëpunim menjëherë”, siguroi Rama.

Kryeministri siguroi se çështja do të shikohet me strukturën e arsimit profesional që kemi në Ministrinë e Ekonomisë, bashkë me ministren e Sipërmarrjes.

“Një shkollë që nuk është shkollë tipike në kuptimin që hajde rri 4 vjet aty, po është një lloj shkolle ku merren kurse të caktuara të cilat iu vlejnë shoferëve tuaj për gjithë ato procese që janë speciale në rastin tuaj. Dhe nuk është thjeshtë çështja merr kamionin dhe shko diku tjetër, por duhet të njohësh edhe gjithë këto procese që thatë. Kështu që ne këtë e bëjmë pa diskutim”, tha Rama.

/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›