E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimoviç: Kujdes, Shqipëria e fortë në Tiranë

Futbollisti më i mirë i suedezëve analizon skemat e lojës, me të cilat mund të mundet kombëtarja shqiptare

Dëmtimi në gju e ka "dënuar" Zllatan Ibrahimoviçin gjatë "Euro 2008"-ës, duke e detyruar të aktivizohej me një minutazh të reduktuar. Megjithëse është shumë më mirë, nuk mund të thuhet se është shëruar plotësisht. "Jam mësuar të jetoj me dhimbje",është shprehur dje Ibrahimoviç, para ndeshjes me Shqipërinë, në shtypin suedez.

Pritet që trajneri Lagerbak të zbatojë të njëjtën skemë si me Francën. Po a është dakord Ibrahimoviçi me 3 5 2? "Për aq kohë sa skema ka rezultat, pra, nëse ne fitojmë, është skema e duhur. Nga njëra anë duket sikur është skemë shumë sulmuese, por mund të përdoret edhe për t'u mbrojtur sa më mirë. Për ne është shumë e rëndësishme të luajmë me skemën e re. Nëse nuk do të funksionojë, do t'i rikthehemi të vjetrës. Në të kaluarën nuk kam luajtur me 3 5 2, por është e përafërt me 4 3 3",është shprehur Ibrahimoviç.

Në kampin suedez, një çështje për t'u diskutuar, është ajo e kapitenit, kur dihet që trajneri ka vendosur t'ia japë shiritin Henrik Larsonit. "Nëse duhet gjetur njeriu i përshtatshëm për shiritin e kapitenit, ky është pikërisht Larsoni. Ai i ka të gjitha cilësitë: moshën, eksperiencën dhe të gjithë kanë respekt për të," - saktëson Ibra.

Shqipëria është testi i parë për Ibrahimoviçin, skuadra e të cilit është një nga favoritet kryesore për të prerë një biletë për në Afrikë. "Do ta kemi të vështirë, sepse Shqipëria ka arritur rezultate të mira, sidomos në shtëpinë e saj. Nëse luajmë me skemën 3 5 2, dhe këtë e bëjmë ashtu si duhet, sigurisht që do ta fitojmë ndeshjen", - ka përfunduar "ylli" suedez.

Lagerbak: S’do të ndodhë asgjë

Trajneri i kombëtares suedeze, Lars Lagerbak, ka "zbuluar" mënyrën se si do të lujë kundër Shqipërisë, më 6 shtator. Ai mendon se nuk do të ketë asnjë surprizë. Si gjithmonë, Lagerbak nuk e zbulon formacionin, të paktën kështu pritet të ndodhë deri një orë para ndeshjes. Ndryshe nga eliminatoret e tjera, këtë herë trajneri duhet të shpjegojë edhe skemën që do të përdoret. A do të ndryshojë skema taktike me Shqipërinë? "Po, sepse, për mendimin tim, nuk do të ndodhë asgjë që do të na surprizojë",është shprehur trajneri suedez, i cili e ka skemën në kokë. Me Francën, Suedia është shfaqur e mirorganizuar në fazën sulmuese, me skemën 3 5 2, por, nga ana tjetër, nuk ka bindur në mbrojtje. Gjatë gjithë javës, Lagerbak e ka stërvitur skuadrën e tij po me këtë skemë. Megjithatë, ekziston mundësia e kthimit te 4 4 2, me një bosht të fortë, nga mbrojtja në sulm. "Nuk kemi shumë kohë për eksperimente, shumë shpejt duhet të kemi vendosur për gjithçka, sa i përket skemës së lojës," - është shprehur Lagerbak dje, në mediat e vendit të tij.

Adi Metaliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›