Ich bin ein Berliner!
Ka shkolla mendimi që e konsiderojnë historinë një cikël që përsëritet dhe nëse do t’i referoheshim vetëm datës, 9 nëntori kujton një natë të trishtë, Natën e Kristaleve (Kristallnacht)1938, në të cilën nis e merr formë dhuna e hapur ndaj hebrenjve dhe interesave të tyre me shkatërrimin e sinagogave, dyqaneve etj. Por, kjo ngjarje pa dyshim e paharrueshme në historinë e Holokaustit, nuk është e vetmja. Përkundrazi, duket se 51 vjet më vonë, pikërisht më 9 nëntor 1989, bota mbajti sërish frymën dhe sytë e saj u drejtuan përsëri nga Gjermania. Një lloj tjetër tragjedie njerëzore konsumohej në Evropë, në formën e një muri që ndan një komb, një qytet, lagje, shtëpi dhe mijëra familje. Një mur betoni si masë e huaj kishte mbirë duke mbjellë trishtueshëm një ndarje që nuk mund të linte indiferent askënd të implikuar në punët e real-politikës së rendit të ri botëror pas Konferencës së Jaltës. 9.11.1989 është tashmë një datë historike, jo vetëm për gjermanët, por për gjithë Evropën dhe jo vetëm.
1989 është viti kur zhvillohen zgjedhjet e para të lira në Kili pas 15 vitesh, viti në të cilin u shtypën me dhunë demonstratat në Kinë, por jo vetëm. 1989 shënon edhe ngjarje të cilave “tymin” do t’ia ndienim më vonë siç është, për shembull, themelimi i Al Kaedës në Afganistan.
9 nëntori është shumë i rëndësishëm edhe për një transformim të konceptit të revolucionit, atë të cilin historiani anglez Ash e pagëzon si “refolucion”: një kombinim i reformave dhe i revolucionit, në të cilën mungonte tipari thelbësor i revolucionit tradicional që kishim njohur deri në ato ditë: përmbysja e rendit ekzistues me gjak.
Ash e kujton atë moment si të fundit në të cilin Evropa ka qenë protagoniste në shkrimin e historisë, duke dhënë një goditje kaq të fortë që shkundi real-politikën dhe përmbysi komunizmin në anën lindore të Perdes së Hekurt.
Kjo datë merr një domethënie të veçantë për ne, “fëmijët e komunizmit” që tashmë ajo kohë na duket një e shkuar e largët, mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, e ushqyer nga kujtimet e vakëta. Është e paharruar dhe përherë e kujtuar me shumë emocion nga prindërit tanë që dëgjonin fshehurazi “Zërin e Amerikës” dhe “Radio Free Europe” me një fije shprese të përhershme se e nesërmja do të sillte diçka të re përzier me trishtimin e përditshëm të përballjes me realitetin e ashpër dhe brutal, në të cilin ishin të detyruar të rrisnin fëmijët e tyre dhe të ngrysnin ditët e veta.
Por, kjo datë është një drithërimë, një çlirim, një ngadhënjim i brezit të gjyshërve tanë, një fat i madh për secilin që e pa këtë ditë dhe një boshllëk për ata që nuk ia arritën.....
Për ne, kjo datë ka po aq rëndësi sa gjermanët, mendoj edhe për hungarezët, po edhe çekët e rumunët, pra praktikisht të gjithë ata, të cilët Muri i Berlinit i kishte gozhduar në anën më të errët të tij, duke i privuar nga ajri i lirisë.
Kushdo që ka udhëtuar, qoftë edhe një herë të vetme në Berlin, ka mundur të përjetojë emocione ngjethëse teksa kapërcen Portën e Brandenburgut për t’iu afruar godinës së Reichstag-ut (Bungestagu i sotëm). Aty ku historia është e gjallë dhe e prekshme, në atë që tashmë ka mbetur vetëm një vijë simbolike, por e dukshme si për t’i kujtuar Gjermanisë dhe mbarë Evropës se lypset ta kujtojmë. Ta kujtojmë murin dhe ata që e ngritën, por mbi të gjitha të kujtojmë ata që u shuan në përpjekje për ta kapërcyer murin simbol që ndante botën e lirë nga makthi komunist.
Prandaj, Berlinin e dua fort dhe nuk është një kapriço. Ai këto ditë ngrohet dhe ndriçohet nga mijëra qirinj në Bernauer Strasse, mijëra qirinj që xixëllojnë në emër të kujtimit për të gjithë ata që guxuan për një jetë më të mirë dhe s’ka rëndësi në ishin hungarezë, çekë, shqiptarë apo banorë të Berlinit Lindor. Sapo hyn në muzeun e Check Point Charl-it, zhvishesh nga të qenit thjesht një shqiptar apo bullgar, sepse njëtrajtësohesh menjëherë me atë dhimbje të madhe që rrëfehet aty. Fletë pas flete e stendë pas stende, shikon të shpaloset historia edhe e kombit tënd, pa flamuj dhe buste, por e natyrshme e genuine në ato të përbashkëta të hidhura në vetëmohimin e dekadave të një regjimi të çmendur që nuk kishte atdhe.
Berlini sot është më tërheqës se kurrë dhe më pëlqen të jem subjektive. Një qytet vital, plot gjallëri dhe i pakrahasueshëm me asnjë metropol edhe për shkak të historisë së dhimbshme të murit, Berlini ka mikpritur Mickhail Gorbaciovin dhe Lek Valesën, që kanë riprodhuar edhe një herë pas 20 vitesh rënien e murit. Muri ra edhe një herë, tashmë në formën e efektit domino për të dhënë simbolikisht mënyrën se si u plandosën regjimet komuniste në gjithë Evropën Lindore e Qendrore pas rrënimit të tij.
Ashtu si 20 vite më parë, kanë dhënë shtysën për shembjen e murit, duke marrë edhe falënderimet e Kancelares Merkel për kontributin e tyre të ndryshëm në dy anët e kundërta të Perdes së Hekurt, por aq të nevojshëm e të çmuar.
Tashmë nuk nevojiten kazma e vare për të thyer blloqet e akullta të betonit, tashmë në vend të tyre në mënyrë simbolike janë një varg paralelepipedësh rreth 1,5 km të gjatë që shtrihen përgjatë gjithë gjurmës së murit të dikurshëm. Një spektakël i vërtetë ngjyrash i hedhur në telajot e këtij improvizimi gjigand. Artistë e nxënës shkollash që pikturojnë për të mos harruar atë mur, pikturojnë për të festuar rënien e tij që simbolizonte ndarjen e Berlinit, Gjermanisë dhe Evropës. Prekës e kuptimplotë zinxhiri njerëzor i gjatë gati 33 km që veçonte dikur sektorin sovjetik të qytetit nga sektorët e kontrolluar nga forcat amerikane, angleze dhe franceze.
20 vite më pas, sytë tanë i drejtohen sërish Berlinit, që tashmë është më mikpritës se kurrë. Një atmosferë elektrizuese nën tingujt e muzikës që nisi me koncertin madhështor të U2 disa net më parë dhe deri tek tingujt e magjishëm të Bethoven-it e Bach-ut për t’u mrekulluar nga interpretimi madhështor i këngës tipike berlineze nga Placido Domingo nën shiun e imët po konstant që ka shoqëruar të gjitha festimet.
20 vite më vonë, natën e 9 nëntorit 2009, Berlini ishte i bekuar nga prania e 100 000 njerëzve pranë Portës së Brandenburgut, simbol i lavdisë së Prusisë, në të njëjtën kohë edhe simbol famëkeq i ndarjes. Por tashmë, Porta ka rifituar dinjitet, ndriçuar nga fishekzjarret dhe ngjyrat e lirisë në një festë të vërtetë që vetëm shija e lirisë e bën kaq të bukur në Gjermani.
Berlini sot kujton me respekt Papa Vojtilën që punoi fort që ai mur të binte, por nuk mund të mos i drejtojë edhe një falënderim Helmut Kohl-it, figurës komplekse, por që sot do të kujtohet si ai që realizoi ëndrrën dhjetëravjeçare të gjermanëve: bashkimin e tyre.
Prania fizike e personaliteteve botërore, kush më pak e kush më shumë, nuk ka se si të mos ia shtojë hijeshinë kësaj feste të madhe gjermane, por jo vetëm. Dmitri Medvedev e Nicolas Sarkozy, Kryeministri Gordon Brown dhe Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton përkrah Gensherit të ngashëryer e Kancelares Merkel që ka ndarë në mënyrë bujare kujtimet e saj të asaj kohe kur ishte një kërkuese shkencore pranë Akademisë së Shkencave të RDGJ-së. Por, në Berlin ishte edhe Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Durao Barroso, dhe kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, një simbol brenda simbolit në kohën kur tashmë Evropa e pjekur dhe më e mençur se 70 vite më parë ka mësuar nga gabimet e veta dhe po kërkon të zgjedhë menjëherë pas ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, atë që Kissingeri e kërkonte dëshpërimisht për ta marrë në telefon.
Nderkohë, më vjen ndërmend fjala e mençur e një politikani të madh, e mbajtur para Bashkisë së Schoeneberg-ut kur identifikohej me këtë qytet dhe sot mendoj se çdo qytetar i botës së lirë, ashtu si Kennedy në vitin 1963, ndihet i tillë, sot e kësaj dite, një berlinez.
*Pedagoge pranë Universitetit të Tiranës