Nisin aplikimet për Fondin e Ekselencës, 1 milion dollarë për bursa
Ministria e Arsimit bëri dje të ditur se kanë nisur aplikimet për të përfituar nga Fondi i Ekselencës dhe se do të shtohen kategoritë e studentëve dhe shkencëtarëve të rinj të shkëlqyer që do të sigurojnë mbështetje financiare nga ky fond.
Në këtë mënyrë, krahas studentëve që kryejnë doktoraturën jashtë shtetit dhe shkencëtarët e rinj që dëshirojnë të vijojnë studime postdoktorale jashtë vendit, këtë vit, për herë të parë do të hyjnë në konkurrim për fondin prej 1 milion dollarësh edhe katër kategori të reja. Bëhet fjalë për studentët fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, autorët e botimeve shkencore me nivel të lartë akademik dhe gjimnazistët e shkëlqyer nga trojet jashtë kufijve të vendit, të cilët fillojnë studimet në universitetet tona.
“Për herë të parë këtë vit do të përfitojnë bursa të posaçme studentët që kryejnë studimet bachelor dhe master në një nga 15 universitetet më të mira të botës”, - bëri të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.
Aplikimet do të përfundojnë më 15 dhjetor, ndërsa më pas bordi i posaçëm pranë ministrisë do të përzgjedhë fituesit.
Dokumentet e aplikimit
Për studentët e doktoratës
1. Kërkesë e kandidatit;
2. Certifikatë lindjeje dhe certifikatë familjare;
3. Kopje të pasaportës;
4. Vërtetim të qendrës së banimit (është e rëndësishme të dihet që personi nuk ka ndërruar shtetësinë dhe nuk është vendosur përgjithmonë jashtë vendit);
5. Vërtetim të qendrës së punës, kur është në marrëdhënie pune;
6. CV e hollësishme në formë tabelare e kandidatit, e shoqëruar me dokumentacionin që vërteton karrierën profesionale të dhënë në CV;
7. Deklaratë për të ardhurat personale dhe familjare, të shoqëruara me vërtetimet përkatëse nga punëdhënësi/it, kur është i punësuar, si dhe çdo dokument tjetër zyrtar;
8. Diplomat e noterizuara të studimeve universitare të ciklit të parë dhe të dytë së bashku me aneksin e notave;
9. Vërtetim ose letrën e pranimit nga departamenti përkatës, ku të përcaktohen supervizori/ët i/e institucionit të arsimit të lartë pritës, nëse procesi i regjistrimit realizohet pas një periudhe të caktuar kohore, si edhe në rastet e studimeve të plota;
10. Deklaratën e udhëheqësit ose bashkudhëheqësit shkencor të institucionit të arsimit të lartë të huaj për pranimin e kandidatit si dhe llojet dhe masën e shpenzimeve që merr përsipër universiteti partner; Deklaratë e bashkudhëheqësit të një institucioni të arsimit të lartë të vendit që ka të drejtën të zhvillojë studime të doktoratës, që ka pranuar të bashkudhëheqë kandidatin;
11. CV dhe lista e botimeve e udhëheqësit ose bashkudhëheqësit shkencor të institucionit të huaj të arsimit të lartë;
12. Një parashikim i kostos së studimeve, hartimi i një buxheti të plotë të detajuar sipas zërave kryesorë (si shpenzime jetese, udhëtimi, tarifa e shkollës etj.);
13. Deklaratë personale që nuk përfiton ndonjë bursë apo financim tjetër nga shteti shqiptar;
14. Në rast bashkëfinancimi ndërmjet MASH dhe organizatave, fondacioneve dhe institucioneve vendase ose të huaja, të paraqitet kopje e noterizuar e dokumentacionit që vërteton marrjen nga kandidati të bursës nga organizatat, fondacionet dhe institucionet vendase ose te huaja (përjashtuar ato shtetërore);
15. Projekt-ideja e temës së doktoratës, në të cilën të paraqitet qartësisht objekti kryesor i studimit, metodologjia (në varësi të llojit të disiplinës), literatura më kryesore që është përdorur apo që do të përdoret potencialisht;
16. Deklarata para noterit më anë të së cilës kandidati pranon të punojë, për së paku 5 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të doktoratës;
17. Tri rekomandime për cilësitë dhe nivelin e kandidatit (referentët duhet të jenë persona që e njohin mirë kandidatin dhe kanë së paku gradën “Doktor“ ose janë figura të njohura në fushat e shkencës, kulturës, ekonomisë, politikës etj.).
Për studimet e postdoktoratës
1. Kërkesa e kandidatit;
2. Certifikatë lindjeje dhe certifikatë familjare;
3. Kopje të pasaportës;
4. Vërtetim të qendrës së banimit (është e rëndësishme të dihet që personi nuk ka ndërruar shtetësinë dhe nuk është vendosur përgjithmonë jashtë vendit);
5. Vërtetim të qendrës së punës, kur është në marrëdhënie pune;
6. CV e hollësishme në formë tabelare e kandidatit, e shoqëruar me dokumentacionin që vërteton karrierën profesionale të dhënë në CV;
7. Lista e botimeve e shoqëruar me fotokopje të artikujve shkencorë origjinalë të botuar;
8. Deklaratë për të ardhurat personale dhe familjare, të shoqëruara me vërtetimet përkatëse nga punëdhënësi;
9. Diplomat e noterizuara të studimeve universitare dhe të doktoratës së bashku me aneksin e notave;
10. Deklaratën e udhëheqësit shkencor të universitetit/institucionit të huaj për pranimin e kandidatit si dhe llojet dhe masën e shpenzimeve që merr përsipër institucioni i arsimit të lartë partner;
11. CV dhe lista e botimeve e udhëheqësit ose bashkudhëheqësit shkencor të Institucionit të huaj të arsimit të lartë;
12. Një parashikim të kostos së studimeve të postdoktoratës;
13. Deklaratë personale që nuk përfiton ndonjë bursë apo financim tjetër nga shteti shqiptar.
14. Në rast bashkëfinancimi ndërmjet MASH dhe organizatave, fondacioneve dhe institucioneve vendase ose te huaja të paraqitet kopje e noterizuar e dokumentacionit që vërteton marrjen nga kandidati të bursës nga organizatat, fondacionet dhe institucionet vendase ose te huaja (përjashtuar ato shtetërore).
15. Projekti kërkimor i studimeve të postdoktoratës;
16. Deklarata para noterit me anë të së cilës kandidati pranon të punojë, për së paku 5 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të postdoktoratës;
17. Tri rekomandime për cilësitë e kandidatit (referentët duhet të jenë persona që e njohin mirë kandidatin dhe kanë së paku gradën “Doktor”; dy prej referentëve duhet të jenë të huaj.
Për fituesit e çmimeve ndërkombëtare
1. Certifikatë lindjeje;
2. CV e hollësishme në formë tabelare;
3. Diplomat e noterizuara të fituara.
Për shkencëtarët me botime cilësore
1. CV të detajuar së bashku me listën e botimeve;
2. Njoftimin e ardhur nga redaksia e revistës, në rastin e artikujve, për pranimin e artikullit për botim dhe koston e nevojshme që duhet të paguhet;
3. Kërkesat e ardhura nga institucione të huaja për monografinë, në rastin kur kërkohet mbështetje për përkthimin dhe botimin e monografisë në gjuhë të huaj të shoqëruara me vlerësime me shkrim për monografinë, nga tre shkencëtarë shqiptarë ose të huaj të fushës në fjalë.
4. Vepra fondamentale që vlerësohet e një rëndësie të veçantë për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare së bashku me vlerësimet e bëra për të nga tre shkencëtarë shqiptarë ose të huaj të fushës në fjalë.
Kategoritë
1. Studentët që kryejnë studimet e doktoraturës jashtë shtetit.
2. Shkencëtarët e rinj, për studimet e postdoktoratës jashtë Republikës së Shqipërisë.
3. Studentët fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare.
4. Autorët e botimeve shkencore me nivel të lartë akademik.
5. Për herë të parë këtë vit do të përfitojnë bursa të posaçme studentët që kryejnë studimet bachelor dhe master në një nga 15 universitetet më të mira të botës.
6. Gjimnazistët e shkëlqyer nga trojet jashtë kufijve të vendit, të cilët fillojnë studimet në universitetet tona.