Itali; Goditet banda e trafikut të drogës, drejtohej nga një familje shqiptare
Një bandë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike e cila drejtohej nga një familje shqiptare, është shkatërruar nga policia italiane. Në përfundim të një hetimi disamujor, në Padova përfunduan në pranga 15 shtetas shqiptarë nga 74 të arrestuar. Sipas mediave italiane, karabinierët shkatërruan një bandë të trafikut ndërkombëtar që kishte baza në Lombardi, Friuli, Venecia dhe Giulia e Marche të Italisë, si edhe në shtete të tjera si Franca, Holanda dhe Spanja. Hetimi nisi para 9 muajsh dhe në përfundim të tij u organizua operacioni i koduar “Nafiz”. Gjatë realizimit të tij u përfshinë qindra policë, oficerë të Antidrogës, si dhe një helikopter. Operacioni përfundoi në mëngjesin e ditës së djeshme me ekzekutimin e 54 urdhër-arresteve, si dhe me një numër sekuestrimesh. Sipas mediave italiane, përveç 15 emigrantëve shqiptarë të arrestuar, u ndaluan edhe 32 shtetas tunizianë, 15 italianë, 8 marokenë, një rumun, një kosovar, një algjerian dhe një shtetas nga Ekuadori. Gjithashtu u sekuestruan rreth 2.5 kg heroinë, 350 gramë kokainë, si dhe 25.500 euro cash e dy automjete.