E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Do hiqet imuniteti i Mediut dhe i ndonjërit që është në rrugë e sipër

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në përgjigje të qëndrimit të mbajtur nga ambasadori amerikan, John Withers, në lidhje me hetimet për Gërdecin tha se do hiqet imuniteti i Mediut, pavarësisht si do të jetë raporti. Ajo tha se kështu do veprohet dhe me deputetin tjetër të PR, Hajrulla Paturri, po ashtu dhe me një dosje tjetër, që sipas Topallit është nisur për hetim.

Zonja Topalli, ju lutem një reagim për deklaratën e ambasadorit Withers, se po pengohet hetimi për Gërdecin, pasi po vonohet vendimi për imunitetin e zotit Mediu.

Në fakt, hetimi duhet të jetë i paanshëm dhe i gjithanshëm, i bazuar në fakte dhe në prova. Parlamenti është i vendosur për të hequr imunitetin. Kjo është përsëritur disa herë dhe do të ndodhë shumë shpejt. Këshilli i Rregullores ka filluar punën për raportin. Unë mendoj që, ndërkohë që hartohet raporti, do të vijnë edhe dokumentet shtesë që deputetët, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar. Është shumë e rëndësishme që të shkohet në thelbin e çështjes dhe besoj se, çështja më e rëndësishme për parlamentin në këtë rast është të kalojmë ligjin për kufizimin e imunitetit, për të gjithë deputetët. Do hiqet imuniteti i zotit Mediu, pavarësisht sesi do të jetë raporti, ka ardhur dosja tjetër për deputetin Paturri, ndoshta është në rrugë një tjetër dosje. Pra, unë mendoj se duhet t’i shkojmë problemit në rrënjë. Kjo do të thotë që menjëherë edhe opozita uroj të fillojë punën në nënkomisionin e Ligjeve, për të sjellë në komisionet e tjera dhe më pas në seancë plenare ligjin për kufizimin e imunitetit, por jo vetëm të imunitetit të deputetëve, por edhe të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë atyre që kanë imunitet.

Zonja Topalli, ju keni kërkuar të tjera akte dhe dokumente nga prokuroria?

Parlamenti funksionon përmes një rregulloreje, e cila është për t’u zbatuar dhe për t’u respektuar nga të gjithë. Institucionet duhet të respektojnë parlamentin, ashtu si parlamenti respekton institucionet e tjera në të gjithë pavarësinë e tyre.

Kur do të kalojë për votim imuniteti i zotit Mediu, ndërkohë që opozita ka vënë një afat kohor?

Kjo nuk ka lidhje me ultimatumet e opozitës. Unë besoj se do të kalojë shumë shpejt. Do të hiqet imuniteti, pavarësisht nga ajo që do të ketë raporti, gjë të cilën unë nuk e di, sepse anëtarët e këtij Këshilli sapo kanë filluar punën për të përgatitur këtë raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›