E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Topalli të japë dorëheqjen, hapi konflikte të pashpjegueshme

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, tha dje se kryetarja e Kuvendit duhet të japë dorëheqjen, për shkak se po shton kosto mbi mazhorancën. Sipas Ndokës, ajo po krijon konflikte që nuk kanë shpjegime me institucione të rëndësishme në vend. Ndoka tha gjithashtu se Topalli ka ngatërruar detyrën e saj si spikere e parlamentit. Sipas tij, Topalli nuk ka respekt ndaj institucioneve. “Zonja Topalli në radhë të parë të reflektojë ndaj sjelljes së saj në jetën parlamentare në tërësi me deputetët e Kuvendit dhe të ketë një respekt ndaj institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ajo që na bën përshtypje dhe ne jemi jashtë mase të shqetësuar është fakti se kjo është një kosto për mazhorancën. Një konflikt i pashpjegueshëm institucional me zotin Topi, një konflikt edhe me prokuroren e re, Ina Rama. Topalli ngatërron qenien e saj si nënkryetare e PD me një spikere të parlamentit. Kompetencat e saj janë të përcaktuara qartë, madje të kufizuara. Mund të them që për mazhorancën është një kosto jashtëzakonisht e madhe zonja Topalli. Një dorëheqje e saj besoj se do ta lehtësonte PD”, - tha Ndoka.

Gurakuqi: Ndoka kërkon të bëjë shantazh, që të qëndrojë akoma ministër

Pas qëndrimit të Ndokës për kyetaren e Kuvendit ka reaguar dhe kryetari i ri i PDK, Anton Gurakuqi. Në një deklaratë për mediat ai tha se Ndoka kërkon të vërë në lëvizje fenomenin “Ndoka” të pazareve në Kuvend. “Deputeti Nard Ndoka me deklaratat e tij në mbështetje të mocionit të propozuar nga Partia Socialiste dhe mbështetur nga partite e tjera të majta për shkarkimin e kryeparlamentares, znj.Topalli, u nda përfundimisht edhe politikisht nga mazhoranca. Mbështetja e këtij mocioni është një mjet presioni jo ndaj kryetares së parlamentit, por ndaj kryeministrit Berisha dhe gjithë mazhorancës së djathtë për të kërkuar që të rrijë me “dhunë” në postin e ministrit të Shëndetësisë.

Deputeti Ndoka me imoralitetin e tij politik po kërkon të vërë në lëvizje “fenomenin” Ndoka në parlament. Ky fenomen, i cili në thelbin e vet ka politikëbërjen mbi bazë presioni dhe shantazhi, pazaresh dhe korrupsioni këtë radhë po vihet në shërbim të së majtës në jetën parlamentare.

Pozicionimi i Ndokës majtas e bën të pamundur qëndrimin e tij në qeveri, prandaj Partia Demokristiane i bën thirrje kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha, ta shkarkojë atë menjëherë nga posti i ministrit të Shëndetësisë. Ftojmë kryeministrin Berisha të nisë menjëherë konsultimet me Partinë Demokristiane për riformatimin e qeverisë, duke iu dhënë mundësinë demokristianëve të përfaqësohen me vlerat e tyre të vërteta intelektuale dhe morale në qeveri”, - tha Gurakuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›