Shaban Balla, lajmëtar i demokracisë
Në fakt, këto gjëra i kuptova jo shumë kohë më vonë. Koha na bëri të piqemi para kohe, na bëri të mos e shijojmë fëmijërinë, na bëri që zhurmat çjerrëse të autoparlantëve të diktaturës të rrihnin si çekan në veshët tanë të njomë, na bëri që lotët e nënave tona të na ndajnë më shpejt nga lodrat, më shpejt se moshatarët tanë.
Po kush ishte Shaban Balla?
Lindur në Krujë dhe banues në Tiranë, i martuar me dy fëmijë. I mbetur vetë jetim në moshën 8-vjeçare, në po atë moshë do të lindte djalin e tij, Gencin. Por kishte një ndryshim, se të atin do t’ia vrisnin armiqtë, se ishte shqiptar; Shabanin do ta vrisnin shqiptarët, se ishte ‘armik’.
Nxënës i shkollës së Fulcit, ishte pjesëtar i grupit ‘Bashkimi demokratik’ (Grupi i Rezistencës), që në verën e vitit 1945. Arrestohet më 18 janar 1946 dhe dënohet me vdekje me pushkatim në mesin e po atij viti. Bashkimi Demokratik u themelua një natë vjeshte të vitit 1945, në shtëpinë e Ali Kavajës, pikërisht 200 m larg shtëpisë, ku para katër vjetësh ishte gatuar Partia Komuniste. Në arenën politike shqiptare dilte pra ky grupim i parë i organizuar opozitar nga bashkimi i tri partive: Partia Socialdemokrate që kryesohej nga Musine Kokalari, Partia e Legalitetit, që kryesohej nga avokat Qenan Dibra dhe grupi i rezistencës me në krye avokat Sami Qeribashin. Se çfarë u bisedua dhe u vendos aty, e përshkruan Musineja në librin “Si lindi Partia Socialdemokrate”: “Sonte jemi mbledhur këtu për një notë. Ne jemi një koalicion demokratik dhe duam që në zgjedhje (flitej për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945), të marrin pjesë shumë parti. Pra, duhet të përpilojmë një notë dhe të kërkojmë nga aleatët që të ndërhyjnë pranë qeverisë që të shtyjmë votat, të marrim pjesë edhe ne. Fituam, humbëm, atë e di populli.”
- Jeni dakord, - pyeta unë?
- Po, - thanë me entuziazëm të gjithë.
- Secili të ruajë të fshehtat ose idealet e veta pa u përzier te njëri- tjetri.
- Më se e drejtë, - thanë të gjithë.
Unë mora penën dhe përpilova notën.
Atë e firmosën katër zogiste, katër të rezistencës, un녅
Një kopje të notës e shpuri Shaban Balla tek anglezët dhe një kopje tek amerikanët.
Pra, Shaban Balla është lajmëtari i demokracisë. Ai pati kurajën që të përcjellë në vendet demokratike dëshirën e inteligjencës shqiptare për zgjedhje të drejta dhe të lira, kur qenia e disa partive është elemeti bazë. Nota nuk u dëgjua, zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 përfunduan me fitoren e plotë të Frontit, kurse pjesëtarët e grupit ‘Bashkimi Demokrat’ u dënuan me pushkatim dhe burgime me akuzën: ‘Bllok për të përmbysur pushtetin popullor’.
Dhe Shabani, si përçues i mesazhit, nuk mund t’i shpëtonte pushkatimit. Atdhedashuria e Ballës dhe amerikanizmi i tij kishin filluar kohë më parë. Ai, në mars të vitit 1934, përkthen nga anglishtja librin “Shqiptarët” të Xhorxh Fred Uilliams, që ishte ministër i Amerikës në Greqi dhe Mal të Zi, si dhe vëzhgues i komisionit ndërkombëtar në Durrës.
Në parathënien e librit Shabani shkruan: “Atëherë, z. Ulliams u bind krejtësisht që veprat e Fuqive të Mëdha në marrëveshjen e Londrës nuk patën qëllim të bëjnë shtet të lirë, por gjetën shkaqe sesi me shtypun ma tepër… por, me mënyrën sesi kishin hartuar planet e tyre, mund t’i hidhnin hi syve të gjithë botës, duke e bëre të bardhën të zezë… e prandaj Shqipëria lëkundej atë kohë në djepin e fatit, herë mbi dhé e herë jashtë gropës së zezë, të tmerrshme e të helmatisur. Gjendej ky djep, pikërisht mbi gropën ku përfaqësuesit kryesorë të diplomacisë evropiane, të veshur me maska me fytyrë njeriu, kishin vendosur tehet e bajonetave të tyre mbi litarët, ku varej ky djep, për ta prerë e për ta lëshuar fatin e Shqipërisë në këtë gropë të vdekjes…
Shqiptarët nuk janë të egër e të rrezikshëm, por janë liridashës dhe kanë mikpritjen më të madhe në bot녅”
Këto deklarata z. Uilliams ia bëri më tepër popullit të vet amerikan, duke iu lutur që të ndihmojë sa më parë për lirinë e shqiptarëve. Dhe, tanimë, dihet se këto lutje nuk shkuan kot. Presidenti Wilson ishte ai që me kurojë përkrahu pavarësinë tonë.
Duke u bërë nga drejtuesit kryesorë të Bashkimit Demokrat, Shabani punoi me gjithë forcat e tij që vendi të jetë jashtë ‘gropës së zezë të helmatisur. Por, nuk mundi, aleatët nuk mundën ta kuptonin mesazhin e dërguar dhe të përgatitur nga ai, siç e përshkrova më sipër. Dhe Shqipëria e kaloi atë kohë ’gropën’, për të rënë pas nëntorit 1944 në gropën e zezë të komunizmit që përfshiu edhe Shaban Ballën e shokët e tij e më vonë edhe shumë të tjerë.
Për vuajtjet e familjes së tij dhe shokut tim të paharruar, djalit të Shabanit, Gencit, kam shkruar më parë në “TemA”, por ajo që do të shtoja është se Genci nuk e zhgënjeu të atin. Ai nuk e uli asnjëherë kokën, punoi çdo lloj pune, ku ishte gjithmonë më i miri.
Bashkimi Demokrat është padyshim organizata e parë në vend e mbase në të gjitha vendet e Lindjes, me ide të qarta demokratike, ide, të cilat pjesëmarrësit e tij i kishin mësuar në shkollat perëndimore, por edhe nga familjet e tyre. Për këtë, ne duhet të krenohemi, por jo vetëm kaq. Duhet ta nderojmë Shabanin e shokët e tij, ashtu siç nderohen në Amerikë e kudo në demokraci heronjtë e vërtetë.
Shabani, si shumë të dënuar të tjerë me gjyq e pa gjyq (e ku qëndronte ndryshimi, dënimi ishte caktuar më parë), nuk ka varr. Varri i tij ‘gjendet’ te bregu i famshëm i lumit të Tiranës, në vazhdim të rrugës së Burgut. A nuk ka ardhur dhe kaluar koha, që aty të ndërtohet një përkujtimore që familjarët të dinë ku të venë një buqete me lule? Kur në shkollë bënim mësimin e baza-themeleve, më shkonte mendja te inxh. Shabani, ashtu të mjegullt në kujtimet e fëmijërisë sime në Shallvare, që me çekiç në dorë jepte udhëzimet për shtëpinë tonë…, tek autoparlanti, te Genci, te libri i teknikës së betonit që më ka dhuruar ai me nënshkrimin e të atit.