E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ideja e re e munguar e Seserit

Nga Lavdosh Ferruni

Titulli që tërhoqi së fundmi mjaft vëmendje në shtypin e përditshëm ishte: “Për një ide të re ekonomike për Shqipërinë” (“Panorama”, 25 maj). Edhe më tërheqës qe shkrimi tek mbante emrin Rudina Seseri, një zonjë me karrierë të shkëlqyer në SHBA dhe me profil shkollaresk mjaft të arrirë, tashmë pjesë e rëndësishme e politikës shqiptare dhe gjithashtu e medias. Kohët e fundit, të paktën që me KOP-in e 2005, po tentohet që atributet sugjestionuese të krijimit të bindjes për politikë ndryshe t’iu vishen shqiptarëve (përgjithësisht të talentuar), që kanë studiuar e jetuar për një kohë të gjatë në Perëndim, kryesisht në Amerikë. Duket këtu bën pjesë dhe zonja Seseri, e cila i është prezantuar fuqishëm së fundmi publikut shqiptar. Por gjithashtu këto kohët e fundit edhe njerëzit këtu në Shqipëri kanë ndryshuar shumë dhe nuk janë ata të viteve ‘90, kur edhe një specialist i huaj më se i rëndomtë shihej në dritë të syrit edhe nga ministrat e jo më nga nëpunësit e specialistët e tjerë shqiptarë tek jepte porosi si duhej zhvilluar Shqipëria.

Po cila është kjo ide e re ekonomike për Shqipërinë e parashtruar nga Seseri? Për ta bërë më lehtë të kuptueshme analizën e mëposhtme artikullshkruesi preferon t’i vetëpërgjigjet pyetjes së tij paksa ashpër që në fillim. Nuk ka asnjë ide të re.

Seseri formulon që në fillim atë që ajo e paraqet si ide të re: “…kemi sot nevojë për një model të ri zhvillimi, kemi nevojë për “zhvillimin e qëndrueshëm”. Formulimi i saj është i saktë, por aspak i ri. Për më tepër ajo rreket të hedhë argumente në funksion të këtij perifrazimi, por nuk ia del. Zhvillimi i qëndrueshëm tashmë është pjesë e gjithë dokumenteve strategjike, programeve e planeve të punës në të gjithë piramidën shtetërore e pa dyshim në qarqet akademike. Që në vitin 1998 mazhoranca e atëhershme miratoi strategjinë e bujqësisë, që e quajti “strategji e gjelbër”. Kapitull kryesor i kësaj strategjie ishte ai i zhvillimit të qëndrueshëm rural (artikullshkruesi ka drejtuar grupin e punës të këtij kapitulli). Ndërsa publikime që tentojnë të fusin konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri datojnë vetëm disa muaj pas konferencës së OKB të Rio De Janerio në qershor 1992 ( Shih p.sh., Ferruni, L., and Ward, N.; 1993 “Shqipëria në udhëkryq; mundësi për një zhvillim rural të qëndrueshëm” Tribuna Ekonomike, nr 2). Edhe ideja për një ministri që në fokus kryesor të kishte zhvillim rural është diskutuar të paktën që në vitin 2001 në programet elektorale të PS.

Seseri mbetet thjesht në një konstatim, kur thotë se “bujqësia është e keqpërdorura e madhe e modelit të deritashëm”. Ajo nuk sjell asgjë të re edhe tek përmend dominancën e importit në bilancin tregtar apo rolin e industrisë së fasonit, ndërtimit, turizmit, si dhe rolin e emigracionit në ekonominë shqiptare. Një refren i hidhur, por i rëndomtë është edhe “shfrytëzimi barbar i pasurisë natyrore të Shqipërisë këto 20 vitet e fundit”, i ripohuar prej saj.

Nga konstatimet sektoriale Seseri arrin në një konstatim më të gjerë që e quan “.. përfundim fatalisht të keq: rritja është ndalur, shpërndarje shumë e keqe dhe pabarabartë e pasurisë kombëtare, si pasojë varfërinë e gjerë.”

Pas këtij konstatimi korrekt Seseri tenton të shpalosë idenë e re ekonomike. Si argument të parë ajo vendos “kthimin te bujqësia që është një sektor me një potencial të jashtëzakonshëm konkurrues, jo thjesht për tregun lokal, por dhe atë të huaj” e në vijim flet se si me politika fiskale, doganore dhe inkurajim teknologjish të reja në funksion të qëllimit madhor zhvillimit të “sektorit të prodhimit “made in albania” do bëhet funksionale ideja e re. Kthimi te bujqësia përbën vërtet një politikë realiste, madje të domosdoshme, nëse analizohen efektet e krizës globale, ndërsa është po aq jorealiste që të përcaktohet si sektor me një “potencial të jashtëzakonshëm konkurrues”. Shqipëria për arsye trashëgimie, strukturore, pronësie, të dominancës së relievit malor etj., nuk ka potencial konkurrues në tregun ndërkombëtar për produkte bujqësore, e aq më pak “të jashtëzakonshëm”. Nga studime serioze të bëra në këtë sektor rezulton se Shqipëria ka avantazh krahasues kryesisht ose më mirë me thënë vetëm në degën e mbledhjes së bimëve medicinale e eterovajore dhe të peshkut të detit jo të kultivuar, pra të degëve që operojnë jashtë parimeve e praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme ekosistemet e mjedisin në përgjithësi. Por mund të thuhet me bindje se potenciali për rritjen e prodhimit bujqësor për tregun vendas dhe pakësimin e importit është vërtet shumë i madh. Këtu gjen mbështetje dhe koncepti i drejtë i lançuar publikisht prej PS i “sovranitetit të ushqimit”. “Made in Albania” mbetet vetëm një slogan i bukur i risjellë në publik nga Seseri. Eksportet bujqësore shqiptare do të jenë për shumë vite vetëm nich market dhe nuk është dhe nuk mund të jetë eksporti i produkteve bujqësore një qëllim i madh i Shqipërisë, siç perifrazon ajo.

Seseri i mëshon shpërndarjes shumë të keqe dhe të pabarabartë të pasurisë kombëtare, por mbetet vetëm në konstatim. Duke vënë në qendër të idesë së re zhvillimin e qëndrueshëm nuk mund mos të të bëjë përshtypje mungesa së paku e përmendjes të vektorit determinues të këtij zhvillimi, të mbrojtjes së mjedisit. Lexuesi priste prej Seserit një prononcim të fortë lidhur me çështjen e madhe të ndryshimit të politikës dhe aksionin shqiptar lidhur me të. Ajo nuk mund të mos ketë ndjekur me vëmendje fushatën dhe programin e Obamës, i cili menjëherë pas çështjes së luftës në Irak e Afganistan radhiste të dytën çështjen e ndryshimit të klimës dhe politikat e reja të SHBA për reduktimin e energjisë të gjeneruar nga fosilet dhe vendet e reja të punës të siguruara nga investimet në energjitë e rinovueshme.

Një pikë e fortë e ligjëratës së shkruar të Seserit është prononcimi për adaptimin e teknologjive të reja që ajo i emëron si emërues i përbashkët për zhvillimin e Shqipërisë në sektorë të ndryshëm të saj. Futja e teknologjive të reja mund dhe duhet të funksionojë, por do dhe parakushte, e mbi të gjitha rritje në nivelin e cilësinë e arsimit në vend, në mënyrë që futja e teknologjive të reja gjithashtu të jetë e qëndrueshme. Trajnimet janë të pamjaftueshme.

Me kërshëri lexuesi pret ide të reja veçmas prej të veçuarve si Seseri deri tash të munguara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›