Sheshi i pambushur bllokon Berishën
Miting nënmesatar i PD në çelje të fushatës elektorale. Berisha bllokohet dhe mbyll fjalimin pas tri minutash
Demokratët nisën dje fushatën elektorale me një nga mitingjet më të varfra të kësaj partie në vitet e pluralizmit shqiptar.
Por, nëse PD ka patur mitingje me më pak njerëz, kjo ka ndodhur, sepse bëhej fjalë për tubime për çështje specifike, e jo për një takim kaq të rëndësishëm në prag të sfidës elektorale.
Megjithatë, atyre në ndihmë u ka ardhur shiu, të paktën për të justifikuar para mbështetësve praninë e paktë të njerëzve. “Shiu është bereqeti i fitores”, - ka deklaruar më naivi i demokratëve, Aldo Bumçi.
Por, ndërsa demokratët janë munduar të shfaqen optimistë, kryeministri, Sali Berisha, nuk e ka përmbajtur inatin dhe ka shfryrë ndaj organizatorit kryesor, sekretarit për këto çështje në PD, Flamur Noka, madje e ka bërë këtë dhe në prani të kamerave.
Mitingu
Prej disa ditësh reklama televizive lajmëronin zhvillimin e mitingut të demokratëve në orën 19.00 në sheshin “Skënderbej”, ku të pranishëm do të ishin dhe disa këngëtarë të njohur shqiptarë.
Edhe pse njerëzit kanë mbërritur (ata që kishin vendosur të ishin në miting), sërish në shesh nuk ka mbërritur kryeministri, Sali Berisha, i cili ka pritur se mos sheshi po mbushet nga njerëzit. Kur ka parë që njerëzit nuk po vinin, atëherë ai ka mbërritur në shesh, ku ka mbajtur një fjalim të shkurtër dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Berisha ka folur shumë pak e u është drejtuar vetëm qytetarëve të Tiranës në fjalimin e tij, si për të mpakur efektin e pranisë së paktë të njerëzve nga rrethet e tjera të vendit.
“Qytetare e qytetarë të Tiranës, sot, ne nisim startin e madh për fitoren e dytë, fitoren, e cila do të ketë si motër 22 marsin e vitit ’92; fitoren, e cila do të ketë për mision ëndrrën e madhe evropiane të tiranasve, të mbarë shqiptarëve. Tirana evropiane do të ndërtojë Shqipërinë evropiane, si të jetë Tirana, do të jetë Shqipëria.
Qytetare e qytetarë të Tiranës,
Katër vitet që vijnë janë vitet e projektit tonë të madh, projekt, me të cilin qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës, njëlloj si ata të vendeve evropiane, do të kenë rrugët, autostradat, transportin e standardeve më të mira”, - tha Berisha në fjalën e tij.
Pa përmendur në asnjë fjalë kundërshtarin e tij, me vetëm disa paragrafë, Berisha ka folur gjëra pa shumë pika kontakti me njëra-tjetrën dhe është larguar.
“Tirana evropiane dhe Shqipëria evropiane do të jetë Tirana e qytetarit dhe Shqipëria e qytetarit, me 24 orë ujë në mbarë vendin, me shkollat më të mira, me shërbimin shëndetësor dinjitoz për një qytetar evropian.
Tirana evropiane do të jetë Tirana e punës, e biznesit, e progresit, e zhvillimit, e pasurimit, e begatisë.
Në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, në katër vitet që vijnë do të krijojmë së bashku 160 mijë vende pune të reja.
Tirana do të jetë në katër vite kryeqyteti me unazën më moderne dhe më të re në Evropë, i unazës së madhe dhe korridoreve të saj”, - tha Berisha.
Shiu
Nëse nuk do të ishte shiu, politikanët e djathtë do ishin pa asnjë justifikim. Megjithatë, ata janë përpjekur të fshihen edhe pas argumenteve të tilla, se tashmë janë bërë disa takime të suksesshme elektorale si nisje fushate.
Megjithatë, në shesh ka pasur nga ata që kanë dalë me detyrim, për shkak se janë pjesë e administratës, por ka pasur dhe të apasionuar pas muzikës. Shto këtu faktin se ai është sheshi me lëvizjet më të mëdha të njerëzve, që edhe në kohë normale pa tubime ka mjaftueshëm njerëz sa për të krijuar një miting të vogël, atëherë del se takimi elektoral i PD ka qenë një dështim total.
Edhe regjia e TV “Klan”, në përpjekje për të marrë plane sa më të shtrira për të kapur sa më shumë njerëz, ka dështuar dhe është detyruar shpesh të paraqesë sheshin e zbrazur.
Disa ditë më parë demokratët deklaruan se kryetari i PS, Edi Rama, nuk është në gjendje të mbushë sheshin “Skënderbej”, ndaj e ka nisur fushatën në Qytetin Studenti. Por duhet thënë se në një shesh kaq të madh, mundësia që njerëzit të jenë më të shpërndarë është më e madhe, por në plane televizive të krijohet përshtypja se ka shumë njerëz.
Fjalimet
Kryeministri ka folur shumë pak, madje dhe në komunat më të thella flet pothuajse dy herë më shumë se kaq, e madje duhet theksuar se nuk është nga ata njerëz që ka problem motin, kur sheh sheshin plot.
Në fillim ka folur kryetari i PD së Tiranës, Aldo Bumçi. Ai ka vlerësuar se PD do udhëheqë për katër vite Shqipërinë.
“Ne me reformat e 4 viteve anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe do të bëjmë të mundur që në gjashtëmujorin e parë të mandatit të dytë qeverisës të liberalizojmë vizat për lëvizje të lirë të shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Ne bëmë të mundur që të ndërtojmë në një kohë rekord korridorin e bashkimit të shqiptarëve rrugën Durrës-Kukës, dyfishuam pagat dhe pensionet, siguruam energjinë dhe sollëm 5 miliardë euro investime. Ky ekip e ka emrin PD, që do ta udhëheqë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme”, - tha Bumçi.
Ndërsa aktorja Rajmonda Bulku tha se Berisha e ka zhvilluar Shqipërinë si askush tjetër.
“Pas kaq vitesh, pas 18 vitesh, sot jam e lumtur, sepse sot nuk jam këtu për të rrëzuar monumentin më të madh të komunizmit, por jam këtu për të mbështetur Partinë Demokratike, për të mbështetur njeriun më vizionar të historisë së Shqipërisë, Sali Berishën, i cili e ka bërë Shqipërinë të zhvilluar si asnjëherë. Ta mbështesim të gjithë bashkë për ta bërë Tiranën, për ta bërë Shqipërinë si ajo rrugë madhështore, moderne, më e mira në Ballkan. Ta bëjmë Shqipërinë moderne të bashkuar me Evropën”, - tha Bulku.