E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Fierin, Rama nënshkroi fundin e vet politik

22-11-2012 / Nga Eden Babani

Këto ditë të nxehta debatesh politike, Kryeministri Berisha tha se Rama do të merrte përsipër një përgjegjësi të madhe, nëse nuk do të jepte konsensus për miratimin e tri ligjeve të kërkuara për statusin. Tashmë, përgjegjësia ka rënë njëherë e përgjithmonë si mallkim gjithëkombëtar mbi njeriun-bllokues e antikonsensus.
Shumëkush nuk do të besonte se zoti Rama s’do të dëgjonte zërin e arsyes, në një çast të tillë kritik për vendin dhe, sidomos, për të ardhmen e vet politike, edhe pse ai zë vinte nga kampi kundërshtar. Më e besueshme do të ishte që, tërhiq e mos e këput, alibitë e gjetura për të bllokuar tri ligjet, sidomos alibia me emrin Fier, nuk do të jetonin gjatë. Ato do t’i shërbenin opozitës si mjete për trysni të përkohshme, që të përfitonte terren politik ndaj kundërshtarit, siç u tentua edhe me ligjet e tjera që kanë kërkuar shumicë të cilësuar. Përndryshe, opozita socialiste do të vetëshpallej si opozitë antieuropiane, antikombëtare, një vetëdamkosje e papranueshme për elektoratin e saj. Për fat të keq, kësaj here ndodhi ajo çka më tepër nuk pritej, sesa pritej. Alibi ose gafë politike, s’di si do të përmendet në analet e historisë, Fieri përjashtoi Brukselin në mënyrë fatale.
S’ka dyshim që çështjen e Këshillit të Qarkut të Fierit, Rama u përpoq ta përdorte si thikë me dy presa, i bindur se do ta dëmtonte disi vetveten, por më shumë, kundërshtarin politik. Qysh se e pranoi “këshillën” e sugjeruar s’dihet prej kujt, lideri socialist ka qenë i ndërgjegjshëm se po luante me zjarrin, pasi nuk ka të krahasuar një fitore e vogël lokale, ndaj një tjetre me përmasa kombëtare. Ndërkohë, për të dyja palët, humbja ose fitorja në Fier, do të ishte në raport të përmbysur me humbjen ose fitoren e mundshme në Bruksel. Duke gatuar këtë lloj çorbe të pështirë, “këshilltari” ose “këshilltarët” e liderit opozitar e dinin  më së miri se njëri prej të dy liderëve, Berisha ose Rama, do të nënshkruante, me atë rast, falimentimin e parakohshëm për zgjedhjet e 2013-s, çka, në një farë mënyre, do të ishte goditje e rëndë politike, në mos fund politik, për njërin ose për tjetrin. Sa për “këshilltarin” a “këshilltarët” e prapaskenës, nuk kishte dhe nuk ka rëndësi se cili prej të dyve humbte ose fitonte në Fier. Çorba ishte gatuar enkas që të helmohej ëndrra shqiptare e integrimit.
Berisha e nuhati lojën politike të Ramës, ndoshta, qysh në  krye të herës. Ai e vlerësoi atë si një dëm me përmasa të pallogaritshme politike për vendin e për mbarë kombin dhe, ndonëse me kosto jo të vogël, nuk gaboi të binte në kurthin e ngritur, duke parapëlqyer mbrojtjen e interesave kombëtare të së ardhmes, ndaj atyre të çastit.
Tashmë dihet mirëfilli se shqiptarët, me ndonjë përjashtim të pallogaritshëm, e duan integrimin në Europën e Bashkuar, ama e duan me shtet të konsoliduar demokratik e duke i respektuar ligjet, jo duke abuzuar në kurriz të tyre. Të kishte ceduar Berisha ndaj kërkesave absurde të Ramës për Fierin, donte me thënë t’u hapte rrugë veprimeve antiligjore, duke shkelur me të dyja këmbët të drejtën e zgjidhjes juridike për një çështje ende në gjykim. Dhe, kur vetë kryeministri i një vendi, për hir të interesave të çastit, shkel me këmbë ligjet e shtetit që vota popullore ia ka besuar të qeverisë, do të thotë se ai shtet ka marrë fund.
Lëvizja më e fundit politike e Ramës për të mbajtur gjallë alibinë me emrin e Fierit ishte kinse-thirrje për një të tryezë të partive parlamentare në prani të mediave, çka dështoi qysh në pikënisje, pasi, siç vëren me të drejtë ish-deputeti i PS-së,  Islami, nënteksti i lëvizjes ishte tepër i lexueshëm. Berisha, për të dytën herë, nuk ra në kurthin e Ramës, i cili do ta shfrytëzonte tryezën për qëllime banale propagandistike mbi bazën e shpifjeve, të sharjeve e të kërcënimeve të tipit komunist.
Sot, Shqipëria dhe shqiptarët ndihen të ndëshkuar prej perversitetit politik të Edi Ramës. Ata, kudo që jetojnë, ndihen të fyer prej një njeriu të papërgjegjshëm për fatet e kombit, i cili, për fat të keq, është ngjitur duke u kacavjerrë këmbadoras deri në nivelin e kryetarit të opozitës dhe i cili, përpos ëndrrës për karrige kryeministrore, nuk udhëhiqet nga asnjë sens politik, nuk ka asnjë alternativë politike që të bindë elektoratin të votojë për të. Ndaj edhe gjendja psikologjike e tij, ndikon rëndshëm mbi një popull të tërë në këto ditë feste të papërsëritshme.
Nuk është ndonjë zbulim të konstatosh gjendjen psikologjike aktuale të liderit opozitar, gjatë ditëve të fundit. Mjafton të marrësh në konsideratë deklarimet e tij në twiter. Tepër agresive, me fjalor banal të tejskajshëm, me kërcënime e shpifje ditën për diell, ato flasin qartë për mungesë besueshmërie politike, në mos po edhe për mungesë të argumentit logjik. Daljet e tij para mediave pamore vërtetojnë të njëjtën gjë. Përveç sa më sipër, për çka lideri socialist s’ia del dot të frenojë veten, në ekran po na paraqitet gjithnjë e më shpesh një njeri që bën gjestikulacione të çuditshme, të përafërta, në mos të njëjta, me ato të diktatorit nazist, Hitlerit, përpara se të ndërmerrte hapin fatal të luftës së përbotshme.
Nuk ka si të shpjegohet ndryshe, që këto ditë, ndërsa çdo shqiptar është përqendruar te 100-vjetori i Pavarësisë - një rast i papërsëritshëm që brezit tonë i ra fati ta përjetojë - Edi Rama dhe besnikët e tij të gënjyer a të “kapur” prej diçkaje që s’i shpëtojnë dot, kërkojnë vetëm përçarje dhe sherre. Sherr e mosmiratim për agjendën e festimeve për nder të 28 Nëntorit. Sherr e zhurmë mediatike në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Sherr dhe fyerje të simboleve kombëtare në Këshillin Bashkiak të Kryeqytetit. Sherr e mospajtim për ripërtëritjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Sherr e kërcënime brendapërbrenda Grupit Parlamentar të PS-së ndaj gjithkujt që mendon ndryshe liderit, edhe kur mendimi ndryshe është në dobi të mbarë kombit. Ja strategjia e taktika që ka zgjedhur Edi Rama për të bërë politikë në emër të partisë më të madhe opozitare.
Është më se e qartë që me perversitete të tilla, koha e politikave globale që po përjetojmë, është  kryekëput e papajtueshme. Me dashje a pa dashje, lideri socialist duket se e ka nënshkruar fundin e vet politik.
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›