Festohet 21 vjetori i krijimit të degës së PD-së në Vlorë
Është festuar 21 vjetori i krijimit të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës. Themelues, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në qytetin e Vlorës përkujtuan dje në një ceremoni të organizuar në qytetin bregdetar, 21 vjetorin e krijimit të degës së PD-së, ku u evidentuan arritjet e kësaj force politike në shkallë kombëtare dhe lokale.
Më 27 dhjetor 1990, intelektualë të shumtë vlonjatë u mblodhën dhe legjitimuan krijimin e Partisë Demokratike në këtë qytet. Ndaj demokratët vlonjatë u mblodhën për të nderuar e festuar së bashku, 21 vjetorin e themelimit të pluralizmit politik
Në këtë takim merrnin pjesë themelues të partisë demokratike, aleatë të kësaj force politike, ndërsa ishte prezent edhe nënkryetari i PDSH, Astrit Patozi.
Në fjalën e tij, Patozi, theksoi arritjet e kësaj force politike në rang kombëtar e lokal, duke vlerësuar këtë vit si të rëndësishëm, jo vetëm për 100 vjetorin e pavarësisë, por edhe për arritjet e mëtejshme politike
Kryetari i PD-së Vlorë, Ardi Kollozi, pas paraqitjes së historikut të kësaj force politike, shprehu nderim dhe respekt për të gjithë ata që kanë kontribuar në themelimin e kësaj force, në vitet 90 dhe vlerësoi punën e bërë nga demokratët vlonjatë në vite për zgjerimin e Partisë Demokratike.