E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet i vrari në Gërmi

(E plotësuar) Policia e Kosovës njoftoi se e ka identifikuar personin e vrarë, dje pasdite, në Gërmi. Ai është B. S., 35-vjeçar, nga Fushë-Kosova, me banim në Prishtinë. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë ligjore në Prishtinë.

35-vjeçari ishte vrarë dje rreth orës 17:15, nga një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyre dhe në rroba civile. Polici ka deklaruar se ka qëlluar në vetëmbrojtje, pasi i maskuari e kishte plaçkitur dhe ishte i armatosur.

“Ekzaminimi i vendit të ngjarjes në Gërmi ka vazhduar deri para mesnatës së djeshme për të vazhduar sot në orët e mëngjesit dhe ka përfunduar rreth orës 11”, ka saktësuar polica, nëpërmes një komunikate shtypi.

Me urdhër të Prokurorit të Qarkut, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit policor, si vazhdimësi e procedurave të rregullta hetimore.

Drejtoria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorin e Qarkut janë duke kryer hetimet.

Polici vret në vetëmbrojtje një të maskuar

Një person, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është vrarë në Gërmi të Prishtinës, te vendi i quajtur antena, pasi kishte sulmuar një zyrtar policor që ishte jashtë detyrës dhe në rroba civile.

Rasti ka ndodhur të martën rreth orës 17.15, kur një i dyshuar i armatosur me një revole të tipit TT dhe i maskuar i ishte afruar zyrtarit policor nga dera e pasagjerit duke i kërkuar të holla.

“I dyshuari pasi që grabit një telefon mobil nga brendia e veturës e sulmon policin duke i shkaktuar lëndime trupore. Në bazë të hetimeve fillestare, besohet se pas kësaj zyrtari policor e nxjerr revolen e tij dhe pasi që personi i maskuar dhe i armatosur nuk i përfill urdhrat verbale dhe ligjore për ndalim zyrtari policor e përdor revolen e tij zyrtare duke përdor forcën vdekjeprurëse në vetëmbrojtje duke qëlluar në të dyshuarin”, thuhet në komunikatën e policisë, transmeton Kosovapress.

Pas kësaj njësitet patrulluese kanë dalë në vendin e ngjarjes, përderisa ekipi mjekësor që kishte ardhur aty konfirmoi vdekjen e të dyshuarit.

Në vend të ngjarjes menjëherë kanë dalë edhe Prokurori i Qarkut dhe njësitet e tjera si mjekësia ligjore, forensika, hetuesit rajonal, zyrtarë nga EULEX-i si dhe eprorë të lartë të PK-së nga drejtoria Rajonale e Prishtinës.

Hetimet për këtë rast do të zhvillohen nga Drejtoria e Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë. Ndërkohë, pritet që Policia e Kosovës të japë detaje të tjera në lidhje me incidentin.E

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›