Identiteti i definuar me ngjyrë

Kjo, thënë më së buti, zgjidhje habitëse që mundëson detektimin e “përbërjes së gjakut” përmes ngjyrës së dokumenteve identifikuese nga Helsinki zyrtar arsyetohet me shkaqe sigurie, ndërkohë që sulmohet ashpër nga shoqatat joqeveritare evropiane, të cilat këtë veprim e quajnë një “legalizim të profilizimit etnik”. Ndërkohë, autoritetet finlandeze kanë filluar me lëshimin edhe të variantit të tretë të letërnjoftimeve, atyre me ngjyrë vjollce - të cilat i marrin fëmijët.
Dallimet e dukshme të ngjyrave të letërnjoftimeve të reja do t’ia lehtësojnë punën policisë dhe organeve të tjera të sigurimit, sqarojnë në Ministrinë e Brendshme të Finlandës. E kjo, sipas ministrisë, është me rëndësi, sepse letërnjoftimet me ngjyrë të kaltër do të mund të shfrytëzohen edhe si dokumente udhëtimi përgjatë gjithë zonës së Bashkimit Evropian dhe në disa shtete nordike, ndërkohë që ato me ngjyrë të përhimët jo. Këto të dytat vlejnë vetëm për territorin finlandez.
Diskriminimi i ngjyrosur, që përcaktohet qartë edhe me vetë vlerën përdoruese të letërnjoftimit, nuk përputhet me parimet themelore evropiane për barazinë e qytetarëve, e as me lirinë e qarkullimit të njerëzve brenda zonës së Bashkimit Evropian. Kjo, ngase të gjitha letërnjoftimet që janë në përputhje me standardet e BE’së do të duhej të përdoreshin edhe si dokumente udhëtimi (pasaporta).
Mirëpo, zyrtarët në Bruksel argumentojnë se, megjithatë, të drejtat e secilit shtet iu nënshtrohen parimeve evropiane. Kjo për shkakun se lëshimi i letërnjoftimeve është kompetencë e shteteve-anëtare të Unionit, të cilat edhe e kanë të drejtën që të vendosin lirshëm për dukjen e tyre. Qartazi, të njëjtat, pra, duket se mund t’i kufizojnë, e madje edhe t’i “shkelin”, standardet evropiane.
Çdo gjë që ka lidhje me pasaportat dhe me letërnjoftimet, por edhe me atë se si përcaktohen të drejtat e qytetarëve, është lënë të vendoset nga vetë shtetet anëtare të BE’së, deklaroi për portalin e BE’së EUObserver, zëdhënësi i Unionit për Drejtësi, Matthew Newman. Në Rrjetin Kundër Nazizmit, brenda të cilit operojnë organizata joqeveritare nga e gjithë Evropa, janë shprehur të dëshpëruar me rregullat e reja të Finlandës, përmes të cilave mes rreshtave mund të lexohen porosi shqetësuese edhe nga vetë përzgjedhja e ngjyrave. “A mos ngjyra e kaltër paraqet një stereotip për ngjyrën e syve të finlandezëve, ndërkaq ngjyra e hirtë për lëkurën e të huajve?”, pyesin nga Rrjeti Kundër Nazizmit.
“Meqenëse ekzistojnë ngjyra të shumta, një përzgjedhje e tillë sigurisht që është tejet aludues”, u shpreh Michael Privot,drejtor ekzekutiv i Rrjetit Kundër Nazizmit, sipas të cilit sqarimi për lehtësimin e punës policore tingëllon banal dhe jo-bindës.
Ndryshe, letërnjoftimi nuk është dokument i domosdoshëm në Finlandë, por qytetarët e shfrytëzojnë atë për shkaqe të shumta praktike, si për shembull, gjatë hapjes së xhirollogarive bankare, për hyrje në klube të ndryshme, ose për të dëshmuar sa vjeçar janë gjatë blerjes së produkteve të duhanit apo alkoolit.
Tash e tutje në çdo situatë të tillë, deshën ata apo s’deshën, me vetë prezantimin e letërnjoftimit të tyre palës tjetër do t’i jepet informacioni mbi prejardhjen etnike të tyre. Vendimi finlandez për ngjyrosjen etnike të dokumenteve identifikuese nxit edhe një shqetësim tjetër shtesë, edhe për shkak të situatës politike në vend. Rritjen tej-mase të ksenofobisë dhe racizmit e vërtetoi edhe vetë triumfi i madh i partisë së re nacionaliste ‘Finlandezët e Vërtetë’ në zgjedhjet e paradokohshme parlamentare. Kjo parti fitoi 20 për qind të votave, ndërkohë që retorike e saj parazgjedhore ishte përplot me porosi anti-evropiane dhe kundër të huajve.
Presidentja e Finlandës, Tarja Halonen, vetëm, pak ditë më parë tërhoqi vërejtjen për rritjen e ksenofobisë në shoqëri, dhe vlerësoi se ky problem duhet trajtuar shumë seriozisht. Rrjedhimisht, ajo propozoi që qeveria e re, për formimin e së cilës ende po vazhdojnë negociatat, si pjesë të programit të saj ta fus edhe luftimin e racizmit. Mirëpo, udhëheqësi i negociatave për formimin e qeverisë së re të vendit, lideri i koalicionit konservator nacionalist, Jyrki Katainen, ndërkohë deklaroi se të gjitha partitë politike që do të jenë pjesë e qeverisë së re janë të përkushtuar për luftimin e racizmit, porse në programin qeveritar nuk do të instalohet ndërmarrja e kurrfarë masave të veçanta kundër racizmit.