Ideologjia e urbanizimit dhe bashkëjetesa
Gëzim Tushi
Fenomenet sociale të jetës urbane me të cilat sot përballemi në të gjithë qytetet tona për shkak të prurjeve të reja demografike, janë bërë tejet të lëvizshëm dhe nganjëherë edhe të paqartë për tu konceptuar në mënyrë normative. Lëvizjet e popullsisë fshatare drejt qyteteve janë bërë vetëm të orientuar nga shpresa për të siguruar një jetë më të mirë dhe kushte më optimale për zhvillim ekonomik dhe kulturor. Kjo prirje e largimit pa fre nga fshati, tashmë e kthyer në epidemi socio-demografike mund të ketë shumë shkaqe historike, ekonomike dhe kulturore.
Por besoj se shkaku më i madh është humbja e besimit për mundësitë e fshatit për të siguruar jetë dhe mirëqenie më të mire, cilësi për më shumë afirmim të dinjitetit personal në hapësirat e ngushta ekonomike, sociale dhe kulturore të fshatit. Në këto rrethana, më shumë se tendencë e orientuar nga mundësitë që ka emancipimi urban, ajo shpreh sigurinë e dyshimtë se kalimi brovnian i popullsisë nga fshati drejt qyteteve tona, pa orientim të qartë, busull ekonomike dhe orientim social të sigurt, është më shumë veprim intuitiv i modës së dëshpëruar për të ecur drejt portit të qytetit dhe jetës së pasigurt urbane. Duke menduar shkurt që qyteti është shpresa e vetme ku mund të hidhet spiranca e jetës, apo që ai mund të jetë mënyrë më e garantuar e jetës sociale se sa në kufijtë e ngushtë të fshatit.
Fenomeni masiv, i gjerë dhje i pandërprerë akoma i largimit të masave të popullsisë nga fshati drejt qytetit, e ka bërë popullsinë fshatare që më shumë se të bazohet në llogari të sigurta ecën duke u mbështetur intuitivisht në ndjenjën e përgjithshme të besimit shëtitës me të cilën janë orientuar masa të tëra të popullsisë urbane në kalvarin e tyre të vështirë të kalimit pa shumë vrarje mendjeje drejt qyteteve tona. Kjo është arsyeja pse një pjesë e kësaj popullsie e cila nuk ka mundur të stabilizohet dhe të integrohet në rrjedhat e jetës urbane, ndihet e pezmatuar dhe është vazhdimisht nën peshën e pakuptimtë të braktisjes së fshatit nga akumulimi i ndjenjës së frikës që kanë sidomos brezat e rinj të fshatit për ekzistencën e mundësive për të qenë të sigurt për të sotmen dhe larguar bindjen për pasigurisë e të nesërmes në fshat.
Këto fenomene që po ndodhin në Shqipëri nuk janë unikale, nuk janë ekskluzivitete tona sociale, por janë ligjësi të kohës dhe mënyrës së kompozimit të përzier të jetës urbane bashkëkohore, midis popullsisë autoktone dhe popullsive të ardhura nga qytetet periferike dhe zonat rurale.
Unë besoj se pavarësisht problemeve ekonomike dhe turbulencave urbane që po pësojnë qytetet tona, duket vlerësuar si dukuri me shumë rëndësi në emancipimin e shoqërisë dhe njerëzve tanë fakti që më në fund tek ne urbanizimi me cdo kusht i jetës, natyrisht jo i kuptuar si zhvendosje mekanike e popullsisë fshatare drejt qytetit, porn ë tërë ontologjinë e vet, tashmë është bërë ideologji e përgjithshme, mënyrë sunduese e jetës sociale, që po shtrihet jo vetëm në qytet por dhe në fshatrat tona. Sepse për fat të mirë kohët e fundit ka një ndryshim të ritmeve të lëvizjeve të kahut demografik të lëvizjes qytetare, nga që po duket ndikimi i politikave që ndikojnë që edhe jeta në fshat ka filluar në thelbin social dhe sidomos në plotësimin e mirë të kushteve të jetës private, të urbanizohet me shpejtësi të madhe dhe standartet e mënyrës së qytetëruar po bëhen modus viventi edhe për popullsinë e fshatit shqiptar.
Mënyra urbane e të jetuarit po bëhet mënyrë sunduese dhe stil i përgjithshëm i jetës në shoqërinë tonë, si në qytetet metropolitane, periferike dhe zonat rurale. Bashkëjetesa e re e popullsive autoktone të qyteteve tona me popullsitë e ardhura nga periferitë urbane, apo thellësitë rurale është një proces që po ndodh dhe do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme. Nga pikëpamja sociologjike bërthama e qytetit është kushti i mundësisë së integrimit të natyrshëm të popullsive të ardhura në rrjedhat e jetës urbane, duke e kapërxyer jo pa vështirësi pengesat që sjell diferenca e trashëguar, midis nivelit të qytetërimit të popullsisë së ardhur në raport me popullsinë urbane të gjetur. Por në kohën e sotme duke qënë se procesi i zgjerimit të qyteteve tona është proces që nuk mund të ndalet, atëherë duhet të mendojmë se cfarë duhet bërë që qytetet tona të bëhen, sic thotë sociologu Zygmunt Bauman, laborator ku praktikohet arti i bashkëjetesës së përditëshme dhe paqësore me diferencën. (Z Bauman, Kufijtë e rinj dhe vlerat universal, f 28)
Padyshim në vend që të merremi duke dalluar diferencat kulturore dhe mangësitë etike të popullsive të ardhura mekanikisht në qytetet tona, gjë që nuk do të ishte as gjëja e duhur, as produktive për përmirësimin e jetës në qytetet tona, normale e arsyeshme dhe e udhës, do të ishte të bëjmë atë që duhet për të rregulluar situatat urbane, si rruga e duhur për të ecur në pistën e duhur për të krijuar kushtet, jo vetëm për integrimin pa sforcim të tyre, por sodomos për të gjetur gjuhën e përbashëkt që duhet për të jetuar si qytetar i vërtetë në qytetet tona që tashmë janë të përziera, të përbashkëta dhe pa mure ndarës. Natyrisht kjo nuk bëhet pa punë dhe angazhim integrues nga të dy palët, nga autoktonët dhe të ardhurit për të krijuar një sistem të integruar aftësish të reja për të jetuar ndryshe dhe në mënyrë të përbashkët, duke u përshtatur me rregullat urbane të qytetërimit tonë. Jo ndarja mekanike në ne dhe ata por mirëkuptimi, ndjenja e pranimit miqësor të të ardhurve dhe sidomos gjetja e gjuhës së dialogut dhe mirëkuptimit social dhe kulturor, do të ishte kushti pa të cilin nuk mund të riformatohet dhe të bëhen me format modern qytetet tona, që tashmë strukturalisht janë të ridimensinuara nga prurjet e shumta demografike.
Koha na detyron që organizimin e jetës qytetare tani në kushtet e reja demografike duhet ta shikojmë ndryshe. Riorganizimi i jetës qytetare në qytetet e rikompozuara nga ana urbane dhe demografike nuk është i lehtë. Por nuk është në të njëjtën kohë as e pamundur apo e papërballueshme. Cështja që shtrohet është që të gjejmë zgjidhje realiste me veprime të guximshme graduale dhe të vazhdueshme, për të krijuar kushte për të zbutur diferencat urbane, sociale, kulturore dhe individuale midis popullsisë autoktone të qyteteve dhe të ardhurve nga zonat rurale, të cilët tashmë përfundimisht janë pjesë integrale e tyre. Përmirësimi i cilësisë së jetës, ndryshimi i standarteve të qytetërimit tone, është objektiv i mundshëm për tu realizuar.
Por ajo nuk arrihet as vetvetiu as me rrjedhje sociokulturore të lirë. Ne jetojmë në kohë të reja dhe zgjidhja e problemeve në qytetet tona bëhet duke e parë realitetin në sy. Në sy duhet të shikojmë edhe njerëzit e ardhur, duke stimuluar dhe shfrytëzuar aftësitë e tyre për integrim urban. Sepse nganjëherë duken qëndrime konservatore dhe mohuese ndaj të drejtës së njerëzve për të lëvizur sipas mundësive dhe dëshirës së tyre. Në qytetët tona nuk ka më as kufij social as pengesa kulturore për të bërë dallime për njerëzit që nuk janë si ne. Ca më pak ideja se qytetet tona po prishen, nga që në to po dynden njerëz që nuk janë të ngjajshëm me qytetetarët autoktonë. Në vend që të merremi me shikime të tilla diskriminuese, që nuk ndihmojnë ndërtimin e jetës paqësore dhe qytetare në qytetet tona të rikompozuara, do të duhej të bëjmë atë që duhet dhe të përballemi me sfidat dhe dëmet që sjell diferenca e jetës rurale me atë urbane. Kjo do të thotë që të krijojmë kushtet, që sa më shpejt të zbutet dhe të eliminohet kjo diferencë midis popullsisë së përzier tashmë të qyteteve tona. Qytetet nuk modernizohen duke patur ndjenjë segeregimi për të ardhurit e vonë në to. Përkundrazi, duke bërë këtë gabim, bëjmë të mundur atë pasojë që ka vënë në dukje sociologu Richard Sennett sipas të cilit njerëzit bëhen të paaftë të përballen me realitetin e diferencave njerëzore. (Zygmunt Bauman, Kufijtë e rinj dhe vlerat universal, f 29)