E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etika Mjekësore Cuius regio eius religio

Mentor Petrela

Ekzistojnë shumë aspekte të jetës së përditshme të pandashme prej ethosit tonë që ngaherë duken të pakuptueshme por që kanë një ndikim që njihet si etika mjekësore. Gjatë shekullit të fundit, zhvillimi i mjekësisë në Shqipëri lidhet me ndryshimet etiko-morale të shoqërisë. Profesioni mjekësor konsiderohej i klasës së mesme të shoqërisë së polis të shkolluar, në trashëgimi të Perandorisë Otomane të shek. XIX. Shteti i ri i pavarur shqiptar kishte marrë drejtim të mirë dhe ishte i bazuar në dy shtylla: fetë e Abrahamit dhe qytetërimin Greko-Romak. Shkollimi mjekësor orientohej drejt Europës e Amerikës, dhe etika mjekësore përmbante të njëjtat rregulla bazë që nga Kodi i Hammurabi-t, Asclepius, Avicenna, etj.

Ndokush mund ta quajë këtë periudhë të frymëzuar nga citati i Spinozës në De Affectibus XXXV: Benevolentia est cupiditas benefaciendi ei, cuius nos miseret (Bamirësia është dëshira për ti shërbyer atyre që vuajnë). Ishte Mbreti Zog ai që përmbushi kërkesat e këtij vendi të vogël duke përshtatur ligjet Europiane, përfshi ligjet rregullatorë të profesioneve mjekësore; ai ndërmori personalisht përmirësimin e cilësisë së sistemit mjekësor. Implementimi i etikës mjekësore ishte i vështirë në kushtet lokale, më bukur përshkruhet në veprën e famshme të Faik Konicës, Doktor Gjilpëra.

Mbreti Zog ftoi disa profesorë Hebrenj të mjekësisë nga Universiteti i Berlinit dhe Vjenës për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve mjekësore; roli i tyre mbi etikën mjekësore është i paçmuar. Gjatë pushtimit Nazist, ata u mbrojtën nga kolegët e tyre dhe nuk ka patur asnjë pasojë ose rast denoncimi pranë autoriteteve naziste. Të themi që Shqipëria pati një përparim të shpejtë në mjekësi deri në mbarimin e Luftës II Botërore, por Aristotelis dixit një pike shi nuk sjell përrua. Pas luftës u vendos rendi i ri, komunizmi, profesioni mjekësor u rishikua, u imponua reforma mjekësore sovjetike e Semashko-s, u dallua një përzierje mjekësh të regjimit të vjetër të stilit Perëndimor me ata të regjimit të ri të edukuar në Rusi dhe vendet lindore. Midis tyre u vendos Omerta në respekt ndaj njëri tjetrit, vis a vis dhunës së diktaturës komuniste nga njëra anë dhe liberalizmit që frymëzonte profesionin mjekësor nga ana tjetër.

Opinionet politike të komunitetit mjekësor u ndëshkuan rreptësisht dhe shoqëria nisi të shtrembërojë pozitën sociale të profesionit mjekësor për dekada me radhë në një luftë klasash të paparë. Në mesin e viteve 70, shoqëria dhe profesioni mjekësor ishin të detyruar ti nënshtroheshin autarkisë dhe totalitarizmit. Ushtrimi i profesionit privat u ndalua me ligj dhe doktori konsiderohej si hermit. Në vend të lumturisë, virtytit të kënaqësisë si shërbyes, dukuritë e reja të shoqërisë, si ndalimi i besimit fetar, kufizimi i miqve të familjes në modelin e Morozovit, dhe një komunitet me Big eye, big ears të 1984-ës së Orwell-it e bënë që profesioni mjekësor dhe etika mjekësore të deformohen me pasoja në relacionet me të sëmurin.

Pas revolucionit kulturor kinez u orientua modeli i doktorëve këmbë-zbathur, me po aq sjellje populiste torollake. Inteligjenca e vërtetë mjekësore u ndrydh, etika e tyre mjekësore mbeti e fshehtë e gjendur përballë një ideologjie dogmatike çnjerëzore të pakuptimtë, e pakrahasueshme madje as me ndonjë ideal të komunizmit. Gjenerata e fundit e mjekëve shqiptarë të edukuar në Europën Perëndimore natyrshëm u zbehën e bashkë me ta në mjekësi humbi grupi i fundit shoqëror borgjez kozmopolit. Për pasojë me gjithë përpjekjet, ata e patën të pamundur të shtronin rrugën për gjeneratën e re sipas kritereve fluktuante të luftës së klasave në përzgjedhjet për studime në Fakultetin e Mjekësisë të UT, i vetmi institucion edukimi i autarkisë. Kjo gjeneratë u ngujua në mes të Europës.  Giraldus Cambrensis shkroi Dielli perëndoi, nata nuk ra.

Fatmirësisht, pas viteve 90 Shqipëria u kthye në një shoqëri të lirë post-diktatoriale, por komunizmi kërkon kohë për tu pastruar si mentalitet dhe çështë e vërteta, evoluimi drejt moralit perëndimor do të marrë kohë. Analiza e etikës mjekësore në Shqipëri do të dekriptohet duke u bazuar mbi argumentimet e fakteve të sipërpërmendur dhe sfida që përballet me profesionin tonë në të ardhmen do të diskutohet sipas normave të bioetikës mjekësore të BE, gjithnjë nëse shoqëria do të reflektojë për momentin dhe nëse politika do të marrë vendimet e duhura. Evangjelisti Luka ishte mjek, dishepull i Palit, ai adhurohet si Shën Luka, mbrojtës i mjekëve dhe kirurgeve, por në këto ditë me software e ADN, kompjuteri lindi bakterin e parë e shumë pyetje janë ngritur jo vetëm për etikën.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›