Roli i ryshfetit në krizën e ekonomisë greke
Sapo mori detyrën si ministre e zhvillimit e Greqisë, Ana Diamantopulu shkarkoi zyrën e investimit të agjencisë pasi dy anëtarë të saj u arrestuan me akuza të shantazhit duke mbajtur kontratat po të mos paguhej ryshfet. "Duhet të tregojmë tolerancë zero ndaj atyre që shkelin premtimet e tyre," tha Diamantopulu, duke përsëritur një refren të përdorur shpesh nga udhëheqësit politikë që fillojnë goditjes të shumta të korrupsionit pa rezultat. Me një krizë financiare që po e shtyp ekonominë e frymën e vendit, ajo tingëlloi ndryshe. Kostas Bakuris, kreu i zyrës së Transparency International në Greqi, tha se mitëdhënia është kaq e pritur në vendin që shtetasit nuk e shohin atë si të paligjshme. "Duhet t’i detyrojmë njerëzit që t’i binden e të zbatojnë ligjin. Nëse ka mundësi [për rryshfet] e njerëzit e kuptojnë se nuk ka pasoja, do të vazhdojnë të bëjnë kështu. Njerëzit nuk mund të vazhdojnë mënyrat egoiste të tyre," tha Bakurisi. Nga pagesa zyrtarëve të provimit një ryshfet të pritshëm për marrjen e patentës, te dhënia e parave shtesë një mjeku që paguhet nga shteti për të siguruar kujdes më të mirë, duke i dhënë të kudondodhurin "fakelaki" -- një zarf të mbushur me para -- për një zyrtar publik ose profesionist privat, Greqia është kaq e mbushur me korrupsion, ky duket i stampuar në pëlhurën e vendit. Ryshfeti vjen me një kosto, tha Bakurisi, që më parë tha për SKAI TV se, "Në disa raste, ligjet në fakt e mbështesin ryshfetin," sepse ka rregulla të paqarta e hapësira që lejojnë që shkelësit t’i shmangen ndëshkimit. "Në teori, Greqia duket se shkon mirë," tha ai. "Në realitet, megjithatë, ligjet janë shkelur e ata që i shkelin ato janë legjitimuar," tha Bakurisi, duke vënë në dukje se Greqia po vuan një "krizë vlerash". "Me krizën, lufta kundër korrupsionit ishte e vogël, por tani po ndodhin disa gjëra. Po fillojmë të shohim disa veprime të zbatimit të ligjit. Njerëzit nuk mund të vazhdojnë me korrupsionin ose do të ketë pasoja. Shumica e kuptoi se mënyra sesi sillemi e bëjmë biznes, duke mos qenë përgjegjës nga ana shoqërore, do të na shpjerë në katastrofë," shtoi ai. Greqia u rendit e 80-ta nga 183 vende në treguesin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International 2011, nën vende të tilla si Arabia Saudite, Tunizia e Kuba. Bullgaria ishte vendi i vetëm që u rendit më ulët në BE e Evropën Perëndimore. Gjyqësori, mediat e bota e biznesit janë më të ndjeshmet ndaj korrupsionit, tha raporti. Diomidis Spinellis, një ish-zyrtar i ministrisë së financave, zemëroi mbledhësit e taksave duke pretenduar se profesioni i tyre ishte i mbushur plot me korrupsioni e u bëri thirrje grekëve që të shkojnë në internet e të njoftojnë rastet e ryshfetit, zhvatjes e shantazhit. E përditshmja e Athinës, Kathimerini njoftoi se ishte praktikë standarde që zyrtarët të kërkojnë një pjesë të çdo financimi shtetëror për kontratat që u jepeshin atyre, zakonisht 2 deri në 4%. Gjykata e Kontrollit e Greqisë zbuloi se 658 milionë euro ishin shpenzuar në mënyrë të paligjshme më 2009 ndërsa po shpalosej kriza ekonomike, duke përfshirë kontrata të dhëna pa një proces konkurrimi, shpërblime të pamerituara e kontrata për kontraktues privatë për punë që duhet të ishte bërë nga punonjës publikë. Askush nuk është ndjekur penalisht, por njerëzve që morën paratë në mënyrë të paligjshme iu kërkua t’i kthejnë ato. Dimitri Sotiropulos, një profesor i sociologjisë politike në Universitetin e Athinës dhe një bashkëpunëtor shkencor në Fondacionin Helenik për Evropën e Politikën e Jashtme, tha se Greqia mundet, megjithatë, të jetë duke ndryshuar, duke vënë në dukje pastrimin e shtëpisë nga Diamantopulu. "Ajo ndryshoi krejtësisht drejtimin për investimet private," tha ai për SETimes. "Nuk mendoj se gjithkush merr ryshfet. Ka zona të korrupsionit, duke përfshirë njerëz që është vështirë të kapen sepse ka marrëveshje nën tryezë".
...