Jeta nuk është demokraci
Ilir Yzeiri
Një nga problemet që mund të diskutojmë sot është forma e regjimit. Është fakt se ne jetojmë në një shoqëri që është e hapur, në të cilën secili mund të flasë lirisht, mund të shajë e të kritikojë gjithkënd dhe në çdo kohë. Shkurt, në dallim nga koha e socializmit në të cilën kufijtë ishin të mbyllur dhe burgjet të hapura për kundërshtarët e regjimit, sot regjimi apo pushteti i qeverisë së radhës nuk shqetësohet shumë për ata që e shajnë, në kuptimin që formalisht ata nuk përfundojnë në burg. Këtu nuk është vendi që të bëjmë listën e ndryshimeve mes rendit socialist në të cilin jetuam për 45 vjet dhe rendit të tranzicionit kapitalist ku po jetojmë. Vetëm se jeta nuk është demokraci thonë filozofët.
Sot regjimi i qeverisë së Berishës i përdor thuajse të njëjtat metoda që përdorte diktatura komuniste vetëm se këtë e bën në mënyrë demokratike dhe në emër të demokracisë. Kështu, katër protestuesit më 21 janar u vranë në emër të demokracisë, televizioni publik shqiptar bën të njëjtën gjë që bënte në kohën e socializmit, pra bën propagandë nga mëngjesi në darkë për qeverinë dhe këtë e bën në emër të demokracisë. E drejta për punë nuk është e garantuar për cilindo, sepse në emër të demokracisë vendos tregu i punës, por qeveria të bën të pasur brenda një ditë dhe të gdhin të vdekur urie brenda po ashtu një dite. Këtë e bën në emër të demokracisë. Sot në emër të demokracisë vriten njerëz për një fjalë goje në sherr e sipër. Shteti nuk është roje dhe mbrojtës i qytetarit, në shumicën e rastit ai është një shërbim vetëm për klientët e qeverisë.
Mirëpo ne të gjithë duhet të jemi të lumtur se jetojmë në demokraci. Sipas qeverisë ne po bëhemi kërthiza e botës, sipas opinionit që e kundërshton këtë ide të qeverisë ne po bëhemi një vend i rrezikshëm dhe i pasigurt. Vetëm në këto dy tri ditët e fundit mësuam përsëri se jetojmë në një vend ku gjyqtari mbron krimin dhe qytetari nuk ka asnjë vend ku të gjejë të vërtetën. Dëshmia e vajzës së trafikuar në CNN se tutori i saj kishte xhaxhanë gjykatës dhe nuk bëri asnjë ditë burg, përkundrazi ndërtoi një vilë në fshatin e tij diku në veri apo denoncimi i ambasadorit danez për ndërtimin e paligjshëm në Sarandë, janë vetëm maja e aisbergut të mos-ekzistencës së shtetit dhe të mallkimit demokratik. Pas kësaj, kryeministri përsëri do të gjejë rast të flasë për mrekullinë e demokracisë shqiptare. Mirëpo studiuesit thonë se edhe Hitleri erdhi në pushtet duke respektuar rregullat e lojës demokratike, vetëm se ai nuk parapëlqente shumë ndryshimet demokratike dhe nuk e honepste shumë atë sistem që e nxirrte humbës. Ndaj ai ndërtoi një sistem elektoral që e nxirrte atë gjithmonë fitues.