E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltari Berkoviç, a mos po e largon Ramën nga skena politike?

04-09-2011 / I. N.

Kryetari i PS është këshilluar të mos dalë as me zë e as me figurë para shqiptarëve, duke synuar që të harrohen dy katastrofat e fundit elektorale. Por lobisti Berkoviç po e përgatit Edvinin për pension politik, po shpëton vetveten nga një klient i pashpresë, por edhe po çliron opozitën nga një lidership që e dënon me humbje të përjetshme

Edi Rama tashmë po bën përpjekje të vetëdijshme për të dalë në periferi të politikës. Bile, me një strategji të re të nulifikimit të të gjitha problemeve të deritanishme, të cilat po vetë i kishte prodhuar, për të mbijetuar politikisht, që pas 8 majit, ai po zbaton taktikën e harresës. S’del më as me zë e as me figurë në ekran. Taktika e korrespondencave vullnetare në mediat që vetë i mban me paga mësohet se është një këshillë e vogël e entourage-it të tij 99-sh, për t’i dhënë vetes aureolën e enigmatikut, atë çehren maoiste të shpellës, atë ndjesinë e mallit që përdhunshëm i duhet induktuar shqiptarëve, edhe pas humbjes katastrofike në zgjedhjet vendore. Por 99-shat, të rritur bordurave e poshtë urave s’e dinë mirë se për shqiptarët, i harruari është thuajse si i vdekuri - pra inekzistent. Ky snobizëm politik, që përpiqet të fshehë në fakt panikun që ka ngërthyer lidershipin socialist nga vullneti i përgjithshëm për të mos e pasur më në krye të opozitës meriton një analizë specifike, në rast se e shohim si një këshillë që i ka ardhur Edvinit nga këshilltari i tij shumëvjeçar, Irving Brekoviç, për të cilin jo njëherë Edi Rama ka thënë se e ka mik personal e se i beson verbërisht.
Çfarë di këshilltari Berkoviç për fatin e Edi Ramës?
Fort i njohur në qarqet lobiste të SHBA-ve, Berkoviç mund të ketë ndërtuar një perspektivë të klientit të tij shumëvjeçar dhe sjellja e tij e vonshme (marrim parasysh edhe refuzimin e tij për t’u marrë drejtpërsëdrejti me fushatën e 29 qershorit e atë të 8 majit) ka të bëjë më shumë me përpjekjet e tij personale për t’u çliruar nga “klienti i bezdisshëm” sesa me një shpikje të politikës së mungesës, që do t’u ngjizë shqiptarëve mallin për Edi Ramën... Afërmendsh, këtë ngjizjen e mallit s’e beson as Endri Fuga, as Erion Veliaj e as Dashnor Peza, jo më një profesionist i perspektivës dhe i lobingut si Irving Berkoviç. Përpjekjet e këtij lobisti për të normalizuar karrierën e Edi Ramës, duke e këshilluar të mos kandidonte për zgjedhjet e 8 majit shkuan kot, prandaj edhe seancat e këshillimit pas këtij momenti, janë shndërruar më shumë sesa në një marrëdhënie financiare mes të dy palëve, në një përpjekje të Berkoviçit për një “exit strategy”. Fati i Edi Ramës duket se tashmë është i vendosur dhe disa banko-prova si publicist s’do t’i bënin keq. Duke u shoqëruar kjo sjellje me aureolën e maoistit që s’do të dalë me zë e figurë, nëse shqiptarët s’dalin rrugëve të bërtasin se i ka marrë malli për komandant Edvinin, ajo paraqitet si një përcjellje e përsosur e një klienti i cili s’ka më se ç’të japë për lobistin. Ky vendim është bërë i ngutshëm edhe pas publikimeve të Wikileaks-it, të cilat zbulojnë vlerësimin e DASH për drejtuesin e opozitës. Me një nr.2 që ka 5 vjet që e ka të ndaluar të shkelë në SHBA, me një “qen mbrojtës” si Erion Veliaj që cilësohet prej kabllogramit si “oportunist” dhe me denoncimet e figurave më të larta të partisë ndaj kryetarit (Blushi e Majko), se ai e ka mendjen tek revolucioni dhe që sillet me autoritarizëm në PS, kuptohet qartë se asnjë perspektivë e sjelljes së këtij politikani në pushtet nuk është e mirëpritur. Ky mesazh është lexuar qartazi nga këshilltari shumëvjeçar i Edi Ramës, prandaj edhe këshillimet për ta shndërruar Edi Ramën në një korrespondent vullnetar gazetash, pa zë e pa figurë, është një paradhomë për të rehatuar të gjitha palët; Edvinin në pension politik, për të shpëtuar Berkoviçin nga një klient i pashpresë dhe për të çliruar opozitën nga një lidership që e dënonte të mbetej në të njëjtin pozicion.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›