Idriz Balaj kërkon lirim me kusht ose falje

Avokati Teki Bokshi ka dorëzuar në panelin për lirim me kusht në Ministrinë e Drejtësisë, kërkesën për lirim me kusht të klientit të tij, Idriz Balaj.
Bokshi, po ashtu, i ka dorëzuar një lutje për falje presidentes Atifete Jahjaga.
Balaj u lirua nga akuzat e Tribunalit të Hagës më 29 nëntor, por ndryshe nga dy bashkëluftëtarët e tij, ai u përcoll nga Aeroporti i Prishtinës për në Burgun e Dubravës, transmeton gazeta JNK.
Idriz Balaj ishte dënuar për tri vepra penale, të kryera pas mbarimit të luftës. Ai është akuzuar me aktakuzën e Prokurorisë Publike të Qarkut në Pejë, të datës 9 dhjetor 2002, të UNMIK-ut, aktakuza e ndryshuar nga Prokurori Publik ndërkombëtar i UNMIK, për tri vepra penale: heqje e paligjshme e lirisë, nga neni 63 paragrafi 1 dhe 4 i Ligjit Penal të Serbisë (LPS) lidhur me nenet 22 dhe 26 të Ligjit Penal të ish RFSJ; shkaktim të lëndimeve të rënda trupore nga neni 38 paragrafi 1 i Ligjit Penal të ish KSA Kosovës (LPK) i lidhur me nenet 22 dhe 26 të Ligjit Penal të ish RFSJ; dhe veprën penale të rrëmbimit, i cili rezultoi në vdekje nga neni 63 paragrafi 1 dhe 5 i Ligjit Penal të Serbisë (LPS) i lexuar me nenin 22 dhe 26 të Kodit Penal të ish-Jugosllavisë (KPJ)./Indeksonline/