Idrizi: Nëse tentohet ndarja e Kosovës, reagim mbarëkombëtar
Çështja kombëtare, PDU, bashkëpunim me Vetëvendosjen
Opsioni i ndarjes së Kosovës do të sjellë një reagim të shqiptarëve në të gjitha trevat ku ata jetojnë. Këtë bindje të fortë, kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, e përçoi në të gjitha takimet që zhvilloi dje me autoritetet e lartat kosovare. Sipas z. Idrizi, nëse tentohet të ndahet Kosova, do të ketë një reagim mbarëkombëtar. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, u takua me nënkryetarin e Aleancës pre Ardhmërinë e Kosovës, z. Ahmet Isufi. Idrizi parashtroi bindjet e PDU-së dhe qëndrimet e saj të panegociueshme për çështjen kombëtare. Në lidhje me zërat që qarkullojnë për ndarjen e Kosovës, Idrizi theksoi se reagimi do të jetë mbarëkombëtar, nëse cenohet territori i saj. Kohët e fundit kanë nisur të dëgjohen disa zëra, të cilat unë jam i sigurt se nuk kanë ndonjë peshë dhe se nuk do të arrijnë në asnjë përfitim, të cilat flasin për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Nëse këto zëra shtohen, atëherë duhet të kemi një reagim mbarëkombëtar, pavarësisht shtetit dhe origjinës; e gjithë skena politike shqiptare, e gjithë shoqëria civile shqiptare dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi do të reagojnë në formën e duhur, - theksoi z. Idrizi. Kreu i PDU-së theksoi nevojën për pasjen e një zëri të përbashkët për çështjet e një rëndësie të madhe kombëtare. Pikat programore të PDU-së janë të përbashkëta me ato të AAK-së, - tha nënkryetari i kësaj partie. Në mënyrë të veçantë biseduesit ndaluan mbi nevojën e ekzistencës së një ministrie për diasporën që të dyja forcat politike e kanë në qendër të vëmendjes. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Jahja Lluka, tha se diçka e tillë është propozuar tashmë nga AAK-ja, sikurse edhe nga PDU-ja në Shqipëri. Po dje, Partia Drejtësi dhe Unitet dhe lëvizja Vetëvendosja zyrtarizuan bashkëpunimin që do të kenë këto forca në të ardhmen, me qëllim primar zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë vizitës së kryetarit të PDU-së, z. Shpëtim Idrizi, në zyrat e kësaj lëvizjeje, ku u prit nga drejtuesi Albin Kurti, u vendos institucionalizimi i marrëdhënieve në të mirë të çështjes kombëtare.
Unë ndihem i nderuar që jam i pari që i uroj hyrjen në politikë Albin Kurtit. Sot, ne kemi zyrtarizuar bashkëpunimin që forcat tona do të kenë në të ardhmen për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ne duhet të vendosim theksin mbi integrimin në Bashkimin Evropian, duke ruajtur profilin kombëtar shqiptar, - tha z. Idrizi.
Z. Albin Kurti falënderoi z. Idrizi për vizitën dhe deklaroi se shumë shpejt do ta kthejë këtë vizitë në Tiranë. Ai tha se nuk ka shqiptar të Kosovës që të mos dijë tashmë për Çamërinë dhe çështjen çame dhe kjo, sipas tij, falë edhe punës së palodhur të Partisë Drejtësi dhe Unitet. Ne duhet të inkurajojmë bashkëpunim më të gjerë nga politikanë nga të dyja anët, duhet që të kemi një harmonizim të çështjes kombëtare nga të gjitha forcat politike. Z. Kurti shpjegoi arsyet pse Vetëvendosja vendosi të hynte në politikë dhe deklaroi se ka ardhur çasti që të kemi standarde të njëjta për të gjithë.
Nëse ne do të shohim minoritetet kombëtare, kanë më shumë të drejta në Kosovë dhe Shqipëri sesa shqiptarët, kudo që janë, - tha z. Kurti. - Ne duhet të kërkojmë që të drejtat që gëzon minoriteti serb në Kosovë ti gëzojnë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe të drejtat që gëzon minoriteti grek në Shqipëri, ti gëzojnë edhe shqiptarët në Greqi. Z. Kurti përgëzoi drejtuesit e Partisë Drejtësi dhe Unitet që flasin vazhdimisht për gjenocidin e kryer ndaj popullsisë çame dhe nuk mbeten vetëm në çështjet e pronave apo të nënshtetësisë. Kjo, pasi Vetëvendosja është pasojë direkte e gjenocidit. Ndaj, gjenocidi duhet të dalë në pah që të dalë edhe e drejta e vetëvendosjes. Për ne është inkurajim i madh që dikush e thotë të vërtetën troç siç bëni ju.
Z. Idrizi deklaroi për mediat: PDU dhe Vetëvendosja do të jemi aleat direktë që nismat që marrim për çështjen kombëtare, pavarësisht se për çfarë flitet, të kalojnë kufijtë shtetërorë dhe të prekin çdo qelizë të kombit. Ka ardhur çasti që ti themi gjërat pa komplekse, me një ndërgjegje morale kritike, - tha ai. Në ditën e dytë të vizitës në Prishtinë, drejtuesit kryesorë të Partisë Drejtësi dhe Unitet zhvilluan një takim edhe në zyrat e Aleancës Kosova e Re, ku u prit nga nënkryetari i kësaj force, z. Ibrahim Gashi. Pasi i parashtroi qëllimet kryesore të PDU-së, z. Idrizi vlerësoi kontributin e dhënë nga kryetari i AKR-së, z. Behxhet Pacolli mbi zgjerimin e njohjeve të Kosovës nga shtete të tjera të botës, si edhe deklaroi nevojën për të pasur një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet forcave të ndryshme politike dhe shoqërisë civile në Shqipëri dhe Kosovë. Z. Idrizi theksoi nevojën për krijimin e një tregu unik, njësi e vetme ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Një treg prej 7 milionë banorësh është gjithnjë më tërheqës, sesa dy tregje të copëzuara siç jemi tani, - tha z. Idrizi. Nga ana e tij, z. Ibrahim Gashi theksoi nevojën e një politike kombëtare duke thënë: Shpreh admirimin tim dhe të forcës që përfaqësoj, për punën që keni bërë deri tani. Sipas tij, shumica e çështjeve kombëtare kanë marrë rrugën e zgjidhjes ose së paku kanë pësuar një përmirësim cilësor e tashmë ka mbetur çështja çame. Z. Pacolli dhe në përgjithësi AKR-ja flet vazhdimisht në nivel ndërkombëtar për çështjen çame dhe do të vazhdojë më fuqishëm ta bëjë këtë në të ardhmen. Ne jemi të gatshëm tju mbështesim pa kushte dhe pa kufij në punën tuaj për zgjidhjen e kësaj çështjeje, - theksoi z. Gashi.