E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS arrijnë konsensusin e parë në Kuvend

Miratohet me 126 vota pro ligji për trajtimin financiar të familjeve të policëve dhe ushtarakëve të rënë në detyrë

Pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe dallimeve të thella që kanë për çështjen e transparencës së zgjedhjeve, mazhoranca dhe opozita kanë mundur të realizojnë dje në Kuvend bashkëpunimin e parë real për këtë seancë plenare.


Dhe këtë e kanë bërë për interes të familjeve të policëve, ushtarakëve, gardistëve dhe punonjësve të SHISH-it, që kanë humbur jetën në krye ose për shkak të detyrës.


Me 121 vota pro dhe asnjë kundër deputetët e djathtë dhe të majtë kanë votuar dje në seancë plenare ligjin "Për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të policisë së shtetit, gardës, zjarrfikësve, ushtarakëve dhe punonjësve të SHISH, të rënë në kryes të detyrës".


Realisht, ky ligj ishte një frymë konsensusi që palët mundën të arrinin gjatë javës kur miratuan në Komisionin e Ligjeve amendamentet e opozitës për të përfshirë në kategoritë e përfituesve të këtij ligji edhe familjarët e ushtarakëve dhe punonjësve të shërbimit inteligjent.


Kështu, tashmë, ligji parashikon që në rastet kur prindi humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës apo për shkak të saj, fëmijët përfitojnë një pension familjar të barabartë me pagën që ai ka pas marrë në momentin kur ka rënë në krye të detyrës.


Në rastet kur do të merret vendim për rritjen e kësaj kategorie pagash, edhe kjo pagë që në rastin konkret trajtohet si pension, do të pësojë rritje në të njëjtën masë. Ky trajtim do të jetë deri në momentin kur edhe fëmija më i vogël i familjes të mbushë 18 vjeç.


Ndërkohë, nëse në momentin kur prindi humb jetën njëri prej fëmijëve është duke ndjekur studimet e larta në universitet, ai përfiton një ndihmë të menjëhershme financiare jo më të vogël se 200 mijë lekë, por me kushtin që të jetë me moshë jo më të madhe se 25 vjeç.


Ndërkohë, fëmijët që preferojnë të ndjekin studimet e larta dhe që janë 18 deri në 25 vjeç shteti merr përsipër që gjatë gjithë kësaj periudhe t'i mbështesë me bursë të plotë. Ndërkohë që për këto familje sigurohet gjithashtu e drejta për t'u trajtuar nga enti kombëtar i banesave për strehim.


Për këtë pikë edhe dje palët kanë debatuar, pasi Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, ka kërkuar që në ligj të vendosej fjala përparësi, pra të lihej si një mundësi për t'u trajtuar me strehim, por jo si një gjë detyruese për entin kombëtar të banesave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›