E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha është gati të luajë me fatin e liberalizimit të vizave

Kryetari i PS komentoi dje deklaratën e dy kryetarëve të grupeve të PE


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi dje se deklarata e përbashkët e dy kryetarëve të grupeve të Parlamentit Europian është pasqyra më shqetësuese që i është vënë ndonjëherë përpara në këta 10 muaj Shqipërisë për krizën e për pasojat e mundshme të saj. Në një komunikim për mediat nga selia rozë, teksa theksoi që Shqipëria është më në krizë se dje, kryesocialisti tha se i vetmi njeri që sot i kthen shpinën kësaj pasqyre është Sali Berisha.


"Theksi i fortë që vë deklarata mbi mospërmbushjen e kriterit politik për të shkuar më tutje në rrugën e integrimit është kambana më e fortë e alarmit që ka rënë gjer më sot në Europë për krizën e sotme në Shqipëri. I vetmi njeri që sot nuk do ta dëgjojnë këtë kambanë është Sali Berisha", tha Rama.


Duke iu drejtuar shqiptarëve të interesuar për zgjidhjen e kësaj krize, ai siguroi se "zgjidhja përmes kompromisit ishte e mundshme, është e mundshme, mund dhe duhej të ishte pranuar për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve, duke i hapur rrugë transparencës e integrimit".


Sipas tij, i vetmi njeri që nuk e pranoi zgjidhjen e mundshme dhe transparencën e domosdoshme ishte Sali Berisha. Kryesocialisti falënderoi gjithashtu partnerët tanë për të gjithë përpjekjen e tyre të derikëtushme dhe shprehu keqardhjen që ende nuk ka një zgjidhje. Ndërkohë që, siç nënvizoi lideri i PS, koha që Sali Berisha kujton se fiton është koha që në fakt i shkurtohet Shqipërisë në rrugën drejt provimit të saj të madh për statusin e vendit kandidat.


"Për të mbajtur me çdo çmim të mbyllura kutitë ku fshihen gjurmët e krimit të 28 qershorit, Sali Berisha është gati ta mbesë përsëri Shqipërinë në klasë dhe madje të luajë deri në fund me fatin e liberalizimit të vizave për shqiptarët", kritikoi qëndrimin e kreut të mazhorancës, Edi Rama.


Ai nënvizoi se "mes vizave e integrimit për të gjithë, Shqipërinë dhe shqiptarët dhe vizës mbi Shqipërinë e shqiptarët, Sali Berisha preferon të dytën, vetëm e vetëm që të mos hapen kutitë e të mos dalë e vërteta". "Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, ne nuk lëkundemi në përpjekjen tonë për të gjetur zgjidhjen e kompromisit që i hap rrugë transparencës, ne nuk ndalemi në rrugën e betejës sonë për transparencë dhe liri e ndershmëri të garantuar të zgjedhjeve", shprehu vendosmërinë, kryetari i Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›