E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDBNJ kërkon garanci për bashkëqeverisje pas 23 qershorit

03-03-2013 / Gazeta 55

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule në Aktivin kombëtar

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule deklaroi  se një bashkëpunim i mundshëm i Partisë Socialiste me Partinë Aleanca Kuqezi, përjashton kategorikisht një aleancë PS-PBDNJ. Në pallatin e Kongreseve ku PBDNJ mblodhi aktivin kombëtar, për të diskutuar mbi strategjitë dhe aleancat politike të zgjedhjeve parlamentare 2013, kreu i saj theksoi se “PBDNJ është në kontakt pa përjashtime me të gjithë spektrin politik të qendrës, qëndresë së majtë dhe qendrës së djathtë dhe do të arrijë të gjejë gjuhën me ata që duan dhe ndajnë me ne qëndrime politike në lidhje me zhvillimet ne këtë vend”.
Më pas, kreu i PBDNJ Dule vuri në dukje se cilado të jetë zgjedhja e PBDNJ, garanci është fitorja me vendet përkatëse në Parlament dhe në bashkëqeverisje. “Ne për t’i dhënë një përgjigje dhe pyetjes që vjen më intensivisht dhe nga mediat, jemi parti me program të qartë politik. Me fizionomi që nuk ka hije, këta jemi me një përvojë 22 vjeçare, kontribute 22 vjeçare, në pozitë dhe opozitë, këto aspekte na japin sigurinë që në të gjitha rastet e mundshme ne e kemi të garantuar mbijetesën parlamentare, PBDNJ do jetë e pranishme në parlament, por nga ana tjetër të gjitha elementet e fizionomisë kontributi na japin sigurinë dhe garancinë se me cilindo që të negociojmë do të arrijmë një marrëveshje të suksesshme jo vetëm për veten tonë, por dhe mbi të gjitha për misionin tonë. Garanci në bashkëqeverisje pas zgjedhjeve te 23 Qershorit”. 
E megjithatë Dule nuk la pa kritikuar partitë e mëdha lidhur me kodin zgjedhor të hartuar dhe komisionet zgjedhore partiake të ngritura.
Sipas Dules sistemi elektoral që paraqitet dhe në këto zgjedhje është i padrejtë. 
“Jemi në pozita të veçanta për zgjedhjet e 23 qershorit. Kemi konstatuar se rrënja e së keqes së procesit zgjedhor është administrimi i procesit zgjedhor dhe kryesisht administrimi nga militantët partiakë, të cilët mbi çdo ligj e interes publik vënë interesat e lidershipit partiak. Ne jemi edhe një nga 4 partitë që kemi të drejtë të zgjedhin anëtarë në Komisionet Zgjedhore, ne jemi kundër komisioneve partiake, por do zbatojmë dispozitat ligjore. Integriteti do bëhet garant për votën e lirë. Zgjedhjet mbi të gjitha, vullneti i sovranit mbi gjithçka e kudo. Jemi përpara një sistemi elektoral të padrejtë. Vota e çdo qytetari nuk ka të drejtën e së njëjtës vlerë. Vullneti i përbashkët i PD dhe i PS, i shprehur në vitin 2008, i rikonfirmuar në vitin 2011”. 
Sipas Dules, PBDNJ vijon të jetë një forcë politike e fortë pavarësisht se zgjodhi të qëndronte në opozitë në një kohë kur iu bënë oferta për bashkëqeverisje. “Jemi forca e vetme politike që në një kohë që kishim oferta të panumërta të qeverisjes, zgjodhëm të ishim në opozitë. Shumë mes nesh e panë me një ndjenjë paniku do shkrihemi do zhdukemi, por ju e shihni që sot jemi shumë më të vendosur jo vetëm nga ana numerike, jemi gati të kontribuojmë në mënyrë të qenësishme”, përfundoi kreu i PBDNJ-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›