E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi në ‘Verdikt 2013’: Emri im në listën e PD? Zgjedhje e zgjuar e Berishës

TIRANË- Shpëtim Idrizi ka qenë sot në mbrëmje i ftuar në ciklin e emisioneve ‘Verdikt 2013’ të moderuar nga Denis Minga, në News 24, për të folur për sfidat që presin forcën politike që ai drejton, Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. 

FUSHATA
Duke u ndalur tek koalicioni me të cilin do të garojë në zgjedhje Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, Idrizi sqaroi arsyet që e shtynë të ishte pjesë e tij. Sipas tij, PDIU ka zgjedhur koalicionin i cili vlerëson votat e PDIU, duke i kthyer në mandate. Idrizi u shpreh i bindur se është pjesë e një ekipi fitues.

“PDIU nuk është parti ideologjike, ne kemi kauza që përfaqësojmë shqiptarët. Nuk jemi më parti thjesht komunitare. Ne donim një forcë që vlerësonte votën ndaj PDIU, kush e njeh sistemin e kupton. Padyshim mendoj që kjo mazhorancë do fitojë, me koshiencë nuk mund të futesh në një koalicion humbës. Rëndësi ka për ne të mbajmë kauzën kombëtare shqiptare në Parlament. Nuk kishim opsion të tretë, njërën do zgjidhnim. Kodi zgjedhor nuk e lejon votën plebishitare, për ne ka rëndësi vlerësimi i votave tona. E kemi më kollaj të nxjerrim mandate deputetësh me këtë koalicion. Kemi më shumë mundësi për ti kthyer votat tona në mandate”, tha ai.

Duke u ndalur tek numri i mandateve, Idrizi tha se nuk është eufori elektorale që PDIU të mendojë për fitoren nga 5 në 7 mandate.

“PDIU do ta marrë një mandat në Tiranë pavarësisht se unë garoj me PD”, tha Idrizi më tej.

Ndërsa duke folur për përfshirjen e tij në listën e PD, Idrizi tha se kjo është një zgjedhje e zgjuar e kryeministrit Berisha.

“Unë në negociatat me PD nuk kam kërkauar asnjëherë që emri im të ishte në listën e PD. Kjo ishte një zgjidhje pragmatiste, koalicioni bëhet më atraktiv, nuk e shoh si dhuratë. Kjo është një zgjidhje e mençur politike e Berishës, duke futur aleatët në listën e pd i ka motivuar maksimalisht, duke njohur edhe kodin”, tha ai. 

Idrizi u distancua nga gjuha e përdorur deri më tani në fushatën elektorale, e cila sipas tij tejkalon etikën dhe se PDIU e ka refuzuar këtë lloj kulture.
“Shoh tejkalim etike në këtë fushatë. Ne si parti e kemi refuzuar këtë lloj kulture që i ndan shqiptarët në jug e veri, të pasur e të varfër. I ftojmë të shikojnë programet. Liderët shajnë nëpër fushata, njerëzit ekzaltohen si në sport, kur thua do ul taksat nuk ndjehet njeri, shqiptarët duhet të dallojnë diferencat programore, por kurrë të armiqësohen”, nënvizoi ai.

Sipas Idrizit, “Partitë politike duhet të hynin në zgjedhje me një marrëveshje, që axhenda integruese të ishte e përbashkët dhe e detyrueshme për cdo qeveri që vjen”.

LSI
Gjatë intervistës së tij, kreu i PDIU Idrizi u shpreh se me LSI e bashkonte pozicioni që kishin për çështjen çame.
Ai falënderoi më tej, ministrin e dalë nga radhët e LSI, Edmond Panaritin, për rolin që ka luajtur në krye të diplomacisë shqiptare.

“Falenderoj Panaritin, një nga ministrat më dinjitozë të kohëve të fundit, që ngriti jo vetëm cështjen çame por i qendroi deri në fund detyrave të një shtetari”, tha ai. 

EKONOMIA
Zhvillimin e ekonomisë, kreu i PDIU-së e sheh të lidhur ngushtë me ekonominë e Kosovës dhe trevave të tjera shqipfolëse.

“Ky vend mund të zhvillohet nëse në radhë të parë ne i shohim ekonomitë komplementare bashkë ekonomitë e shqiptarëve në Kosovë e shqiptarëve në rajon, pra një ekonomi më e madhe. Le ta kthejmë nacionalizimin në një cështje ekonomie, heqje barrierash fiskale mes dy vendeve, heqje doganore”, vijoi ai.

ÇËSHTJA ÇAME
Idrizi u shpreh i kënaqur që çështja çame është tashmë në qendër të politikës shqiptare, ndërsa shtoi se, “Është koha dhe momenti i duhet për ta kombëtarizuar dhe ndërkombëtarizuar atë”.

Duke folur për rezolutën çame, Idrizi u shpreh se ajo ishte një test për të gjithë politikën shqiptare

“Kjo rezolutë synon që marrëdhëniet me Greqinë të jenë me të vërtetë ato të fqinjëve të mirë dhe kjo arrihet duke parë të vërtetën në sy. Dy partitë e mëdha kanë tendencë t’i ikin këtyre lloj kauzave, por ne bëmë presion”, tha ai.

“Po e trimërojmë parlamentin e politikën që të mos jetë më e intimiduar. sidomos në raportet me Greqinë”, tha ai.

Puna e tij dhe e PDIU është të jetësojë këtë rezolutë në parlamentin e ardhshëm sic tha Idrizi. “Në rezolutë flitet që qeveria shqiptare duhet të punojë për heqjen e efekteve të ligjit të luftës, pra kemi një dokument zyrtar që pranon që ky ligj është ende në fuqi. Detyra jonë të jetësojmë këtë rezolutë në parlamentin e ardhshëm, është një udhërrëfyes i detyrueshëm”, vijoi ai.

Duke qenë në situatën që kjo rezolutë ende nuk është botuar në fletoren zyrtare, Idrizi u shpreh se vonesa ka të bëjë me procedurat dhe se nuk është e qëllimshme.
“Vonesa e botimit ka të bëjë me aktet administrative. Nëse nuk kalon, besoj që për të njëjtat arsye dhe presion që doli në dritë kjo rezolutë, në një rast të tillë do jetë i jashtëzakonshëm presioni, jo vetëm i PDIU por i gjithë shqiptarëve. Besoj që javës tjetër kjo rezolutë kalon në fletoren zyrtare”, shtoi ai.

Idrizi tha më tej se nuk synon ndonjë post ministror pas 23 qershorit. Për të prioritare mbetet çështja kombëtare.
“Vetëm një dëshirë e parealizuar, pres që të vazhdoj të shtyj kauzën tonë. Ambiciet personale i kam realizuar. Vetëm kauza të jetë prezente në Parlament, ta trimërojë atë për kauzat kombëtare, të mundohemi të nxjerrim që atje kalin e trojës, të shkojmë përpara me zgjidhjen e kuazës së madhe kombëtare që kemi, t’i përbashkojmë shqiptarëve. Nëse marrim 7 mandate padyshim që do kemi edhe 2 ministra në qeveri”, shtoi Idrizi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›